Lajme të mira për Interin, rikuperohet dyshja e mirënjohur
Mediat në Itali raportojnë se dyshja e Interit, Lautaro Martinez dhe Mateo Darmian, po rikuperohen mirë dhe pritet të jenë gati për të luajtur për zikaltërit kundër Sassuolos në fundjavë në Serie A.
Lautaro Martinez ishte në stol dhe nuk u aktivizua në fitoren 2-0 të Interit në transfertë kundër Ajax në ndeshjen e parë të fushatës së tyre të Ligës së Kampionëve 2025-26 të mërkurën mbrëma.
Argjentinasi kishte qenë në dyshim para nisjes së ndeshjes, pasi raportonte dhimbje në shpinë, gjë që bëri që të mos stërvitej plotësisht me pjesën tjetër të skuadrës në prag të përballjes me Ajax.
Në fund, ai u zëvendësua nga Françesko Pio Esposito në formacionin titullar të Kristian Kivu, dhe qëndroi në stol gjatë gjithë fitores së zikaltërve. Ndërkohë, Mateo Darmian nuk u përfshi fare në listën e lojtarëve për ndeshjen.
Sidoqoftë, sipas përditësimeve më të fundit nga “Sky Sport Italia”, të dy lojtarët po rikuperohen mirë dhe, përveç ndonjë pengese të minutës së fundit, pritet të jenë në dispozicion për ndeshjen e ardhshme të Interit në Serie A kundër Sassuolos të dielën mbrëma, me fillim nga ora 20:45.









