Lavrov për avionët f-16: Perëndimi po luan me zjarr
Lavrov për avionët f-16: Perëndimi po luan me zjarr

Ministri i Jashtëm i Rusisë paralajmëroi shtetet perëndimore se “po luajnë me zjarr”, pasi janë pajtuar që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë të prodhimit amerikan, F-16. Sergei Lavrov, tha se ky vendim “është një përshkallëzim i papranueshëm” i konfliktit, teksa shteti i tij po vazhdon pushtimin e Ukrainës. “Pa dyshim, ata po luajnë me zjarr”, tha Lavrov gjatë një interviste për një televizion rus, që u publikua në rrjetet sociale. Ai tha se ky vendim i Uashingtonit, Londrës dhe “satelitëve të tyre në Bashkimin Evropian” synon “të dobësojë Rusinë”. Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të mundësohet trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka treguar nëse do të dërgojë në Ukrainë këso lloje avionësh. Ndërkaq, shtetet e tjera, përfshirë ato të NATO-s, kanë ofruar që të trajnojnë pilotët ukrainas që të përdorin F-16. Ukraina që në nisje të pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit të kaluar, ka kërkuar nga aleatët që t’i dërgojë avionë të sofistikuar. /Alsat.mk