Lëndë për administratorët-gazetarë, Ivanovska: Pa përgjegjësi, s’ka demokraci

Lëndë për administratorët-gazetarë, Ivanovska: Pa përgjegjësi, s’ka demokraci

Gazetar: Mefail Ismaili

Nëpunësit e Qeverisë që kanë udhëtuar si gazetarë në Bullgari janë edhe në llupën e Anti Korrupsionit. Kryetarja e Komisionit Anti Korrupsionit, Biljana Ivanovska, deklaroi për Alsat, se për rastin e njëjtë kanë pranuar denoncim nga person anonim dhe kanë hapur lëndë hetimi.

“Tani jemi në fazë të grumbullimit të të dhënave nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta nga ku kërkojmë shpjegim për të gjithë atë rast. Kur do i mbledhim të gjitha ata të dhëna, informata, dokumente do i analizojmë dhe do të dalim në opinion. Jo që duhet të fillohet, por përgjegjësi patjetër duhet të ketë. Transparencë, përgjegjësi dhe llogaridhënie, pa këto nuk ka demokraci”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare Anti Korrupsioni.

Alsat zbuloi dokumente ekskluzive se si gjashtë të punësuar të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë (SHPPP), me shpenzime të shtetit, si gazetarë kanë qëndruar në Bullgari për tre ditë.

Por nga qeveria sot, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Alsat, nëse kanë dokument me vendim të Qeverisë që gjashtë të punësuarit e Shërbimit kanë shkuar si pjesë e stafit Organizativ, kanë dërguar kumtesë në media për të demantuar informacionet dhe duke thënë se personat në fjalë kanë pasur detyra organizative.

“Gjashtë punonjës të SHPPP gjatë vizitës në Bullgari morën pjesë në kryerjen e detyrave – organizimit dhe mbështetjes së aktiviteteve të delegacionit tonë, në të cilin ishin edhe përfaqësues të mediave, në mbledhjen e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë .SHPPP njofton se në përputhje me konkluzionin nga mbledhja e 4-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbajtur më 20.01.2022, Shërbimi është i obliguar që të ndërmarr të gjitha aktivitetet dhe koordinimet e nevojshme lidhur me akomodimin dhe transportin e gazetarëve”, njoftojnë nga SHPPP.

Por në proces verbalin e seancës së 4-t të Qeverisë, në pikën pesë, thuhet qartë se Qeveria angazhon Shërbimin të sigurojë udhëtim dhe vendosje në hotel vetëm për gazetarët. Nga Shërbimi dhe Qeveria nuk u përgjigjën pyetjeve shtesë se pse Qeveria nuk ka sjellë vendim që gjashtë persona të Shërbimit duhet të udhëtojnë dhe të bëjnë punët organizative dhe pse ky udhëtim i tyre nuk është theksuar askund në procesverbalin e seancës së 4 të Qeverisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button