Lëndohet një polic i Kosovës gjatë një sulmi të armatosur në veri

Lëndohet një polic i Kosovës gjatë një sulmi të armatosur në veri

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri. Forca të shtuara policore vërehen në zona ku ka banorë shqiptarë. Ndërkohë polici i lënduar nga sulmi i mbrëmshëm është në gjendje stabile. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se organet e sigurisë nuk e përndjekin askënd në baza etnike, fetare, por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale ose grupore.

“Policia e Kosovës nuk është kurrë e drejtuar, e nxitur, e orientuar kundër serbëve. Përkundrazi, ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve të ndryshme, të cilat mund të bëhen nga fqinji ynë verior”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se është takuar me ministrin e mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe. Ai nuk dha ndonjë detaj se për çfarë u diskutua. Paraprakisht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë. Edhe kryeministrja serbe Bërnabiq tha se Beogradi është afër vendimit për të kërkuar kthimin e trupave në Kosovë. Ndaj këtyre deklaratave që vijnë nga Beogradi reagoi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka thënë se i konsideron këto tensione si rezultat të veprimeve nga të dyja anët. Zëdhënësi i BE-së Stano konfirmoi se EULEX dhe KFOR, janë në rolet e tyre përkatëse, si reagues të dytë dhe të tretë, pas Policisë së Kosovës.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë me udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi, mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë jo-qëndrueshmëri dhe dhunë”, u shpreh Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të shtetit.

Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri janë caktuar për më 18 dhjetor. Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button