Levandovski: Rruga drejt ‘Topit të Artë’ më e shkurtër nga Barça se sa nga Bajerni

Robert Levandovski po shënon njësoj si edhe në sezonin e kaluar te Bajern Munihu. Pavarësisht se ndryshoi klubin, u transferua te Barcelona, polaku e ka ruajtur nuhatjen për golin njësoj, në mos më shumë. Lumturinë e tij për këtë start kaq pozitiv në “Camp Nou” e shpreh edhe në këtë rrëfim të fundit.
“Tifozët? “Nuk e prisja që tifozët e Barçës të fillonin të më këndonin këngë në ‘Camp Nou’. Kjo më bën të ndihem sikur kam qenë te Barcelona për një kohë të gjatë”.
Bomberi polak tha se nënshkrimi për Barçën i dha një shtytje tjetër në karrierë.
“Më nxiti vetëvlerësimin. E dija që duhej të bëja diferencën, të ndikoja në rezultatet e ndeshjeve dhe nuk kisha frikë nga ky rol. Jam shumë krenar për veten time.
E di që Barcelona është skuadra ku më së shumti lojtarë kanë fituar ‘Topin e Artë’. Unë mendoj se rruga drejt ‘Topit të Artë’ është më e shkurtër nga Barça sesa nga Bajerni”.
Levandovski është i lumtur për të rinjtë përreth tij.
“Pedri, Gavi, Ansu, Ferran… Sasia e talentit kaq të madh në një skuadër është e jashtëzakonshme. Ata kanë kaq shumë talent, janë gjithmonë të gatshëm të flasin dhe nuk kanë turp të bëjnë pyetje. Unë ndaj njohuritë e mia me ta. Mund të shoh tek ata të gjithë potencialin dhe sa shpejt po rriten. Te Barcelona kemi potencial të madh”.
Polaku foli edhe për dallimet mes La Liga dhe Bundesliga
“Në La Liga ka disa ndeshje të bezdisshme, sepse skuadra të ndryshme luajnë shumë në mbrojtje, si Elche. Ishte e vështirë për ne, sepse Elçe ishte pozicionuar shumë mirë në mbrojtje. Fatmirësisht shënova dy gola dhe fituam. Bundesliga është më fizike. Në Spanjë ka shumë skuadra që përpiqen dhe duan të luajnë një stil të veçantë futbolli”.