Lëvizja Vetëvendosje fiton Podujevën, Lista Serbe Mitrovicën e Veriut

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë ka njoftuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë, sipas rezultateve preliminare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka fituar 51.64 për qind të votave, ndërsa Millan Radojeviq nga Lista Serbe ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicë të Veriut.

KQZ-ja ka bërë të ditur se në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Dy kandidatët tjerë për pozitën e kryetarit në Podujevë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar 35.97 për qind të votave, ndërsa Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 12.40 për qind të votave.

Në Podujevë, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 40.51 për qind e votuesve, apo 35,400 persona.

Në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 3.68 për qind të votave, Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur, ka fituar 2.92 për qind dhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 3.54 për qind të votave.

Në Mitrovicë të Veriut është thënë se kanë votuar 39.14 për qind e votuesve apo 9,124 persona.

Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

LEXO EDHE:

Back to top button