Liderë rajonal e të vendit kanë uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare
Liderë rajonal e të vendit kanë uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare
Gazetar: Suad Bajrami
Krerë të partive e funksionarë shtetërorë rajonal kanë uruar Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren bindëse në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Kryeministri shqiptar Edi Rama, uron që fitorja të kthehet në sukses për Kosovën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona”, ka deklaruar Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Urata për fitoren e Kurtit, kanë dërguar edhe krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Fetai, por edhe kreu i Kuvendit Afrim Gashi. Ndërkohë, në telegramin e urimit, zëvendëskryeministri i parë Bekim Seli, thekson që fitorja rikonfirmon Kurtin si garanci për Kosovën.
“Fituesi i këtyre zgjedhjeve tashmë po rikonfirmohet – Albin Kurti, me mbështetjen e fuqishme popullore, mbetet garanci e zhvillimit, sovranitetit dhe sigurisë në Kosovë”, ka shkruar Bekim Sali, zv.kryeministër i parë.
Urata ka dërguar edhe opozita shqiptare e Maqedonisë. Kreu i BDI-së në telegramin e tij thekson që Kosova duhet të ketë stabilitet.
“Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj”, shkruan Ahmeti.
Kurtin e kanë uruar edhe Ziadin Sela dhe Arben Taravari. /Alsat.mk








