Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm në zgjedhjet në Kosovë. Ka siguruar 56 mandate

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm në zgjedhjet në Kosovë. Ka siguruar 56 mandate

Gazetar: Suad Bajrami

Lëvizja Vetëvendosje është fitues i zgjedhjeve të djeshme Parlamentare me mbi 430 mijë vota apo 49,30%. Megjithatë, përqindja mund të rritet pas numërimit të votave me kusht dhe votave të diasporës. Përkthyer në mandate, në legjislaturën e ardhshme Vetëvendosje pritet të ketë së paku 56 deputetë. Në vend të dytë u rendit PDK me mbi 183 mijë vota apo 21%, me çka siguroi 23 ulëse në Kuvend. Pas saj LDK me mbi 118 mijë vota 13,5%, respektivisht 15 deputetë. AAK mori rreth 50 mijë vota dhe siguroi 6 ulëse në Kuvend. Lista Serbe do të ketë 10 deputetë dhe 10 ulëse të tjera janë të rezervuara për pakicat joserbe.

Nëse rezultati i djeshëm krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve të fundit të mbajtura më 9 shkurt, e të cilat nuk arritën të prodhojnë një qeveri, Vetëvendosja është fitues më i madh, ndërsa humbësi më i madh është LDK. Partia e Albin Kurtit është rritur për 8 deputetë, ndërsa e Lumir Abdixhikut ka humbur 5 deputetë. Më tej AAK-ja e Ramush Haradinaj ka humbur 2 deputetë, ndërsa partia e Bedri Hamzës 1 deputet. Lista Serbe ka më shumë 1 deputet. Në garë ishte edhe partia Nisma e Fatmir Limajt, por ajo mori rreth 15 mijë vota apo 1,71%, të pamjfatueshme për të kaluar pragun prej 5%.

Në fjalimin e fitores, Albin Kurti theksoi se në këto zgjedhje ka fituar populli dhe shteti i Kosovës, ndërsa ftoi opozitën për bashkëpunim në kuadër të Kuvendit.

“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare. Për ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urimeve të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit pa dallim, fitoren historike që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin e vitit 2021”, deklaroi Albin Kurti, Kryetar i LVV.
Kreu i PDK-së Bedri Hamza theksoi që rezultati nuk është i kënaqshëm, megjithatë tha se nuk do të fshihet pas përgjegjësisë.

“Sigurisht Partia Demokratike e Kosovës ka pritur rezultat më të mirë, unë kam pritur rezultat më të mirë. I nevojitet tjetër rezultat PDK-së. Por, PDK ka arritur ta ruaj votën e vet, ta ruaj elektoratin e vet. Pozita i ka edhe përgjegjësitë e veta. Kur je në pozitë ke edhe përgjegjësi. Sigurisht se unë nuk jam prej atyre që iki apo fshihem pas përgjegjësive. Këto ditë do të kemi takime me strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Bedri Hamza, Kryetar i PDK.

Për rezultatin e dobët, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku do ta vendos në tavolinë dorëheqjen.

“LDK ka nevojë për unitet, për reflektim të thellë dhe një fazë të re të sinqertë brenda vetes. Ka nevojë të dëgjojë më shumë, të hapet më shumë, të rinovohet më shumë e më guximshëm. Për këtë arsye duke marrë përgjegjësinë që më takon si kryetar, do të thërras menjëherë Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe para tij do t’i shpalosi e shqyrtojmë të gjitha çështjet përfshirë dhe përgjegjësinë time që mbaj unë si kryetar i kësaj shtëpie të demokracisë”, deklaroi Lumir Abdixhiku.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj mbrëmë u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me PDK-në dhe LDK-në, në kuadër të bllokut opozitar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button