Ligji për përfaqësim / BDI: Nga 31%, shqiptarët përfunduan me konkurse 0%
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Të gjitha 31 amendamentet e opozitës të dorëzuara për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, u refuzuan në katër seancat e zhvilluara të Komisionit parlamentar të sistemit politik. Hapi i radhës është që ligji të vendoset për miratim periudhën në vijim për çka nevojitet badenter i vogël, përkatësisht, shumicë votash nga deputetët që përbëjnë badenterin të cilët do të jenë prezent momentin e votimit. Nga opozita nuk e kanë ndërmend të mbështesin ligjin dhe do të bëjnë gjithçka për ta bllokuar.
“Më mbani për fjale, nëse sillet e ne do të bëjmë çmos që të mos sillet ky ligj, nuk do të ndryshojë gjendja nga sot, nga gjendja pa ligj. Sot s’kemi ligj, s’kemi kuota etnike. Edhe nëse sillet, fare nuk do të ndryshojë, prandaj maksimalisht do të bëjmë çdo përpjekje demokratike duke shfrytëzuar çdo mekanizëm demokratik në kuadër të Kuvendit që të mos lejojmë ky ligj i Karakamishevës dhe servilëve të saj si Jeton Shasivari të mos kalojë”, deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Nga BDI akuzojnë VLEN-in se ka ulur përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.
“Nga premtimi për 31.5%, përfunduam te konkurse me 0% shqiptarë. Në vend që të rikthenin një mekanizëm më të fortë mbrojtës, VLEN solli një projektligj që nuk mbron përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Pyetja është shumë e thjeshtë: Ku janë këto 2500 punësime? Në cilat institucione? Në cilat konkurse? Sepse statistikat zyrtare nuk e mbështesin këtë pretendim”, tha Arbër Ademi.
Ndërkohë zv.kryeministri Bekim Sali u bëri thirrje partive politike që të mbështesin Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pasi e cilëson si obligim kushtetues, që buron nga Marrëveshja e Ohrit. E vlerëson në interes të qytetarëve dhe hap të rëndësishëm në forcimin e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë në institucione./Alsat.mk.








