Asgjë nga premtimi i VLEN-it për integrim kombëtar me Kosovën e Shqipërinë
Gazetar: Suad Bajrami
VLEN erdhi në pushtet me premtimin për integrim kombëtar me Kosovën e Shqipërinë, por dy vjet pas qeverisjes, të gjitha projektet e premtuara kanë dështuar. Premtuan se do të krijojnë Këshill të Përbashkët Kombëtar për Diasporën Shqiptare me Kosovën e Shqipërinë, i cili duhej të hartonte politika afatgjate kombëtare e të vendoste vija të kuqe ndaj shteteve ku jetojnë shqiptarët sa i përket çështjeve identitare, por nuk e realizuan.
Në vend të integrimit kombëtar, gjatë këtyre dy viteve pamë bashkëpunim partiak me Prishtinën zyrtare dhe grindje me Tiranën. Takime, lëvdata e mitingje me Albin Kurtin, akuza se Edi Rama po punon për përçarjen e VLEN-it. Derisa shkonin në Prishtinë për të takuar Kurtin, Rama vinte në Shkup dhe takonte Ali Ahmetin dhe liderët tjerë opozitar.
“Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë janë zgjedhje mes politikës së të kaluarës dhe politikës së të ardhmes, mes atyre që e shohin pushtetin si privilegj dhe atyre që e shohin si përgjegjësi”, ka deklaruar Bilall Kasami më 31 maj të vitit 2026.
“Në këtë tendencën për përçarjen e VLEN-it, nuk ka qenë imun Partia Socialiste dhe Shteti Shqiptar. Më me prioritet e kanë BDI-në, preferencat partiake sesa përfaqësimin e shqiptarëve”, tha Izet Mexhiti më 29 maj të vitit 2025.
Gjatë gjithë kësaj periudhe VLEN ka akuzuar ambasadorin shqiptar Denion Meidani se po bën fushatë në dobi të BDI-së, ndërsa kulmi i mosmarrëveshjeve me Tiranën zyrtare ndodhi me zbardhjen e skandalit diplomatik ku ministri i jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha funksionarët e VLEN-it i quan idiotë. Këtë, e gëlltiti VLEN me një vizitë zyrtare të Mexhitit.
Megjithatë derisa përplasej VLEN-i me Shqipërinë, kujtojmë që nuk ka realizuar premtimet që ua ka dhënë qytetarëve. Në programin zgjedhor, ka premtuar se integrimi kombëtar do të shtrihej edhe në rrafshin arsimor duke unifikuar sistemet dhe kurrikulat arsimore me Kosovën e Shqipërisë, por dy vjet më vonë, nuk ka bërë asgjë. Ka premtuar edhe krijimin e një Instituti të përbashkët, por as atë nuk e ka bërë.
Fati i njëjtë i ka ndjekur edhe premtimet në fushën e ekonomisë, duke përfshirë euregjionet apo zonat e lira ndërkufitare me Kosovën e Shqipërinë. Ndërsa kur jemi të infrastruktura, rruga Shkup – Bllacë ende s’ka përfunduar, ndërsa rruga Tetovë-Prizren nuk është as në letër, ndonëse kishin premtuar ndërtimin për dy vite. E të mos flasim për rrjetin hekurudhor Shkup-Prishtinë apo Shkup-Strugë. S’është bërë asgjë edhe për tregun e përbashkët për bujqit, Bankë Shqiptare, Qendër për Trajnimin e Mësuesve, Institutin Pedagogjik, Shkollën për Mërgatën, Kupën Sportive, Olimpiadën e Konkurset Shkollore, Lojërat Panshqiptare, Turin çiklistik e çka jo tjetër. /Alsat.mk.








