Mbi 12 mijë amendamente / LSDM dhe “E Majta” gati për të bllokuar Kodin Zgjedhor
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Po bëhen gati mbi 12 mijë amendamente nga LSDM-ja dhe “E Majta” lidhur me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. 10 mijë amendamente po i përgatit vetëm LSDM-ja ndërsa qëllimi, sipas kësaj partie është që të bllokohen ndryshimet e Kodit. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Oliver Spasovski për Alsat thotë se vërejtjet kanë të bëjnë me votimin e elektronik të diasporës, gjobat e larta në rrjetet sociale dhe mënyra e dorëzimit të ankesave dhe vendimmarrjes në KSHZ.
“Po, LSDM ka përgatitur 10 mijë amendamente të cilat do të dorëzohen në afat të përcaktuar me qëllim që të parandalohet miratim i tillë i Kodit Zgjedhor. Ky propozim nuk garanton zgjedhje të lira dhe demokratike dhe ne do të bëjmë gjithçka, do të ndërmarrim të gjitha masat demokratike që të mos lejojmë sjelljen e këtij ligji”, deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.
Mijëra amendamente po i bën gati edhe “E Majta”. Kodin Zgjedhor e cilësojnë si autoritar pasi janë dorëzuar ndryshime për të cilat nuk ka pasur konsensus. Vërejtje kanë edhe për pjesëmarrjen e kufizuar të listave të pavarura të qytetarëve.
“Do të vendoset censurë për kandidatët e opozitës, do të mund të gjobiten për deklaratat e tyre në rrjetet sociale. 8000 euro për diçka që Agjencia për Shërbime Mediatike ose Komisioni Shtetëror Zgjedhor do ta vlerësojë si spin dhe kjo ka të bëjë me kandidatët opozitar. Ne kërkojmë Kod tërësisht të ri zgjedhor në mënyrë që të hiqet bllokada”, u shpreh për Alsat, Amar Mecinoviq nga “E Majta”.
VMRO-DPMNE thotë se nuk e kupton sjelljen e LSDM-së dhe “Të Majtës”. Të parën e akuzon për krizë brendapartiake, ndërsa për “Të Majtën” thotë se kanë marrë pjesë në grupin e punës dhe janë pranuar shumica e kërkesave të tyre.
“Nëse ka numër të tillë të amendamenteve mendoj se komisioni për sistem politik nuk do të kishte kuptim të thërrasë seanca dhe t’i shqyrtojë deri në pafundësi. Çdo parti politike ka të drejtë të propozojë dhe të bllokojë por ne konsiderojmë se në interes të agjendës reformuese dhe në interes të lehtësimit të punës së KSHZ-së, është mirë që ky Kod Zgjedhor të kalojë. Nëse LSDM vendosë ta bllokojë, le të mbetet në përgjegjësinë e tyre”, tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE
E vetmja nga opozita që ka ngelur e kënaqur dhe i ka nënshkruar ndryshimet e Kodit Zgjedhor është BDI-ja. Nga kjo parti shprehen se është e rëndësishme që nuk do të ketë më mbivotim në KSHZ.
“Ne jemi të qëndrimit se për çfarëdo ndryshimi të Kodit Zgjedhor nevojitet konsensus etnik dhe politik. Të gjitha vërejtjet tona në grupin e punës janë miratuar. E vetmja gjë që nuk është arritur konsensus është ajo për një njësi zgjedhore me lista të hapura dhe me prag prej 5%. Për këtë partitë tjera nuk janë pajtuar me propozimin e BDI-së”, deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Nevoja për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor u votua mbrëmë në seancën e 110të të Kuvendit. “Pro” votuan 57 deputetë ndërsa 25 ishin kundër. Ndryshimet janë pjesë e Agjendës Reformuese e cila është paraparë të miratohet më së voni sot, përkatësisht 30 qershor./Alsat.mk








