Ahmeti për premtimet e dështuara të VLEN-it: Ku i keni, në mjegull?

Gazetar: Suad Bajrami

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nga Kuvendi zgjedhor i partisë në Saraj ka kritikuar ashpër krerët e VLEN-it për moszbatimin e premtimeve, sidomos sekretarin e partisë Bekim Sali, i cili pranoi dështimin në realizimin e një liste me premtime parazgjedhore të cilën ia prezantoi Alsat.

“A ke thënë 26 kërkesa i ke publikuar i ke premtuar, kombit, popullit? Dhe del edhe thua tani, jo këta nuk i kam bërë sepse kam bërë nja 20 kërkesa tjera, unë i kam bërë. Kush janë ata 20? Në mjegull? Në hava? Kush i lexon ata? Kush i bën ata? Do të thotë ka ndryshuar programin, e fillova nga e thëna në të bërë është një det i tërë dhe nuk turpërohen fare”. “Kur të zgjedhësh rrugën e turpit, të poshtërosh prejardhjen nga vjen, kështu ta bën ai. I ke 26 kërkesa? Shko te shtëpia se s’mund të bësh as zë, se unë të kam marrë”, tha Ahmeti.

VLEN garoi në zgjedhje me programin zgjedhor mjaft ambicion të titulluar “Plani 2030”, megjithatë dy vjet pas qeverisjes, realizimi i premtimeve nuk është askund. Ka premtuar se do të ndërtojë konsensus për ndryshim të Kushtetutës, nuk e ka bërë. Barazi të plotë të gjuhës shqipe me maqedonishten, nuk e ka bërë. Ndryshimin të Ligjit për Festat Shtetërore, nuk e ka bërë. Përdorimin e himnit dhe stemës shqiptare nëpër shkolla e institucione, nuk e ka bërë. VLEN u ka premtuar qytetarëve se do t’u japë nga 10 mijë euro aksione nga ndërmarrjet, nuk e ka bërë. Ashtu siç nuk i ka bërë edhe premtimet për krijimin Bankës Shqiptare, Akademinë Shqiptare, mbarimin e rrugës Tetovë – Prizren për dy vjet, ndërtimin e Portit të thatë në Strugë, pensione për personat që nuk kanë pasur sigurim, kredi me zero kamatë për çiftet e reja që dëshirojnë të blejnë banesë, karton të gjelbër 1 euro, lojëra panshqiptare, ministër të Brendshëm shqiptar apo erasmus shqiptar. Ka premtuar, por nuk e ka hequr definicionit 20% nga Kushtetuta, ashtu sikur edhe premtimin për dëmshpërblim për të përndjekur politik dhe hapjen e dosjeve jugosllave. Nuk e ka bërë edhe ligj për veting, ndarjen e Maqedonisë në tetë njësi zgjedhore, apo krijimin e një Gjykate që do të merret me problemin e punëtorëve.

I përballur me këtë listë premtimesh, sekretari i partisë dhe njëkohësisht zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, pranoi që asnjëra prej këtyre pikave s’është realizuar.

“Aty sa pika keni? 20. Domethënë 20 pika tani do të lexoni edhe 20 tjera të cilat nuk janë të shkruara, por janë të realizuara që nënkupton se ne brenda 20 viteve kemi realizuar diçka bile edhe jashtë programit tonë. Me të cilën mburremi. Kjo i bie 100% jashtë kësaj liste që i numëruat ju”, deklaroi Bekim Sali mw 28 qershor.

Edhe kjo nuk është e vërtetë, përveç këtyre 20 premtimeve, VLEN ka premtuar edhe krijimin e Ministrisë për Diasporë, nuk e ka bërë. Formim të Këshillit Kombëtar së bashku me Shqipërinë e Kosovën, nuk e ka bërë. Nuk ka realizuar premtimin për shtesa për fëmijët nga 1.000 denarë në muaj, nuk i ka bërë siç ka premtuar edhe kurikulat e njëjta arsimore me Shqipërinë dhe Kosovën. Më tej, ka premtuar edhe kontrolle shëndetësore falas për qytetarët, nuk e ka bërë, ashtu sikur edhe kuotën 40% për gratë në pozitat e emëruara. Ka premtuar edhe organizim të bujqve në shoqata e kooperativa, as këtë s’e ka bërë. /Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button