Rikonstruimi i Qeverisë / Mblidhen organet e VMRO-së, ndërsa VLEN i merr 6 ministri
Në ditën D kur pritet të finalizohet rikonstruimi i Qeverisë, Alsat mëson jo zyrtarisht se edhe në VMRO-DPMNE por edhe në VLEN kanë ndryshuar emrat dhe një pjesë e resorëve që ishin paralajmëruar paraprakisht. Sipas burimeve brenda dy partive në pushtet, VLEN nuk do ta merr ministrinë për Rini dhe Sport, ndërsa Bekim Sali nuk do të lëvizë nga Çështjet Evropiane. Ndërkohë në VMRO-DPMNE do të ketë një rokadë më të theksuar. Ivan Stoilkoviç që paralajmëroi largimin e tij nga Sistemi Politik, pritet të propozohet si ministër i Pushtetit Lokal, ndërsa ministri aktual Zllatko Perinski pritet të zbret dy eshalonë më poshtë, përkatësisht drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor. VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga Shëndetësia dhe në këtë pozicion ka parashikuar Sashi Klekovskin. Emrat e VLEN për në Sistem Politik dhe Drejtësi akoma nuk janë bërë të ditur. Kryeministri Mickoski pasditen e sotme ka thirrur organet e partisë ku edhe do t’i konfirmon emrat e ministrave dhe zëvendësve, përfshi edhe drejtorët./Alsat.mk.








