Ligji për përfaqësim nuk parashikon sanksione / Sali: Përgjegjësia politike është më e madhe se gjobat
Gazetare: Fatlume Dervishi
Ligji për përfaqësim të drejtë nuk do ta parashikojë normën juridike të sanksionit. Zv.kryeministri i parë Bekim Sali tha se Trupi koordinues i qeverisë i drejtuar nga zv.kryeministri i parë, ministrat e resorëve përgjegjës, Avokati i Popullit dhe institucione të tjera të pavarura nga qeveria, do të bëjë raporte të rregullta vjetore me të cilat do të ndiqet zbatimi i ligjit
Mundësia për gjoba ose sanksione eventuale për drejtuesit e institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin apo nuk i zbatojnë rekomandimet e Trupit koordinues për përfaqësim adekuat në institucionin përkatës, mund të shqyrtohet vetëm të jetë pjesë e Metodologjisë e cila do të duhet të përpilohet ndërkohë.
“A do të ketë gjoba financiare për udhëheqësit e institucioneve apo përgjegjësi politike, unë vlerësoj se përgjegjësia politike është më e madhe se gjobat financiare. Aty te ligji nëse e keni vërejt në afat gjashtëmujor duhet të miratohet një metodologji e punës në bazë të së cilës do të ndiqet puna e zbatimit të ligjit. Në Metodologji ne mundemi, ka hapësirë dhe do të diskutohet me të gjitha institucionet që të mos jetë vetëm qasje politike sepse me qasje politike mund të ketë njëanshmëri politike të mendimit për shkak të një qeverie aktuale, mirëpo nëser një qeveri tjetër, që ka një qasje tjetër, mundet ta ndryshojë”, deklaroi zv.kryeministri i parë Bekim Sali.
Pyetje: D.m.th. mbetet që deri sa nuk ka sanksione zbatimi të jetë i vullnetshëm nga drejtuesi i institucionit, nëse do ose jo ta zbatojë?
“Aktualisht nëse flasim, realiteti flet që ne në mungesë të balancuesit dhe në mungesë të ligjit kemi rritje të shqiptarëve në administratën publike për 0.5%. flasim për periudhë një vjet e gjysmë. Nëse ndiqet puna e institucioneve, nuk mund të ketë keqpërdorim siç ka ndodhur në të kaluarën”, shtoi zv.kryeministri i parë Bekim Sali.
Ligji për përfaqësim të drejtë tashmë është në procedurë parlamentare. Ai parashikon që gjatë punësimit, kualifikimi, përgatitje profesionale dhe aftësia të jenë kriter parësor kurse përkatësia etnike të mund të merret parasysh si kriter dytësor vetëm në rastet kur kandidatët kanë kualifikim të njëjtë profesional.
Zbatimin e ligjit do ta ndjekë Trupi koordinues në bashkëpunim me Agjencinë e administratës i cili do të japë rekomandime për arritjen e kuotave etnike nëpër institucionet ku konfirmohet nënpërfaqësim i bashkësive të caktuara etnike. Gjatë punësimit, qytetarët nuk janë të detyruar të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Ajo mund të konfirmohet përmes emrit në dokumentet e identifikimit.
Ligjit i mungojnë nenet për sanksione ose gjoba, për drejtuesit që do të zgjedhin të mos e zbatojnë ligjin, e që formalisht duhet të jetë shtyllë për secilin ligj.
Metodologjia e njohur si balancues, e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024, parashikonte hapjen e konkurseve publike për punësim duke përcaktuar paraprakisht përkatësinë etnike të kandidatit që kërkohej. Kandidatët ishin të detyruar të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike kurse vetëdeklarimi i rrejshëm dhe mungesa e përgjegjësisë për drejtuesit e institucioneve në rastet e keqpërdorimit, ishte ndër problemet kryesore të zbatimit efikas.








