Ligji për shtetësi përplas ashpër Aleancën për Shqiptarët dhe BDI

Opozita shqiptare dhe pushteti u përplasën në emisionin “Rruga Drejt” për nevojën e ndryshimit të Ligjit për shtetësi. Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët thotë se numri i qytetarëve të cilët denoncojnë probleme me shtetësinë në platformën shtetësia.mk rritet çdo ditë e më tepër. Dauti i bën thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare të rreshtohet me hallet e qytetarëve.

“Në bazë të bisedave me qytetarë të ndryshëm të cilët kanë probleme me shtetësinë mendoj se i kemi prekur çështjet kryesore të cilat zgjidhin problemet e qytetarëve, por sigurisht asnjë propozim/ligj asnjëherë nuk kam menduar dhe nuk mendoj se mund të jetë i përkryer”, tha Ilire Dauti, deputet e ASH-së.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu thotë se propozimi i opozitës bie në kundërshtim me ligjin aktual për shtetësi. Nuhiu konfirmon mbështetjen e BDI-së ndaj propozimit të opozitës shqiptare.

“Në njërën anë thotë që të gjithë qytetarët të cilët janë gjetur në territorin e Maqedonisë së Veriut që kanë pasur shtetësi të RFS-së, sipas fuqisë së ligjit do të duhet t’u takon shtetësia. Më poshtë ke një dispozitë tjetër e cila thotë se të gjithë këta qytetarë do të duhet të parashtrojnë kërkesë në MPB dhe nën kushtet e përcaktuara me ligj, përfshirë edhe 3 dëshmitarë që të mund të fitojnë shtetësi”, tha Agim Nuhiu, zëvendësministër i Drejtësisë.

Nga Lëvizja Besa thonë se deputetët e tyre mbështesin propozimin, por në të njëjtën kohë kërkojnë llogari nga Aleanca për Shqiptarët përse sa ishin në Qeveri për 8 muaj nuk propozuan një ligj të tillë.

“Fundja 58 ka opozita dhe 4 deputetë të Lëvizjes Besa i ka dhe e kalojmë ligjin. Pse mërziten? A kanë lobuar këta tek kolegët e opozitës dhe të tregojnë sa kanë mbërritur? Në këtë situatë mund të kalojë, pavarësisht a e mbështet ose jo pushteti”, pohoi Kastriot Rexhepi, deputet i Lëvizjes Besa.

Propozim-Ligji për shtetësi është dorëzuar në Kuvend në mes të muajit dhjetor. Që atëherë opozita kërkon thirrjen e trupit punues amë, Komisionit për Sistem Politik por një pikë e tillë nuk është caktuar në mbledhjet e deritanishme të këtij komisioni. Opozita maqedonase ka deklaruar publikisht kundërshtimin e tyre ndaj ligjit, ndërsa LSDM-ja ka paralajmëruar ligj për ri për shtetësi.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button