Nisma për kongres: VMRO-ja s’është e Mickoskit

Këshilli nismëtar për kongres të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së kritikon vendimin e mbrëmshëm të Komitetit qendror të kësaj partie për të mbajtur kongres të rregullt në nëntor. Në komunikatën e tyre thuhet se kjo është lojë e kryetarit Hristijan Micksoki me anëtarët e partisë dhe delegatët që e kanë zgjedhur.

“Hristijan Mickoski nuk ka kapacitet dhe nuk ka besim mes anëtarëve të partisë dhe aq më pak mes qytetarëve neutral. Hristijan Mickoski do t’i sjellë edhe një humbje VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, ashtu siç solli humbje në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”, thonë nga Këshilli nismëtar për kongres të jashtëzakonshëm në VMRO-DPMNE.

Nga këshilli nismëtar ftojnë delegatët e penduar të kyçen në iniciativën për kongres të jashtëzakonshëm të cilin e kanë caktuar për më 28 mars.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Komitetit qendror të VMRO-DPMNE-së u vendos që kongresi i rregullt i partisë të mbahet në nëntor. Sipas partisë së Mickoskit, nismëtarët për kongres të jashtëzakonshëm janë ish funksionarë të partisë që janë vendosur nën shërbim të pushtetit dhe Zaevit.

“Kjo është një mundësi e mirë për pastrimin e radhëve të VMRO-DPMNE-së mes udhëheqësisë aktuale dhe energjisë së re si dhe ish funksionarëve të partisë të cilët tani drejtohen nga Zoran Zaev”, tha Stefan Andonovski, VMRO-DPMNE.

Sipas statutit të partisë, kongresi i zakonshëm i partisë organizohet një herë në katër vjet. Kërkesa për kongres të jashtëzakonshëm bëhet nga kryetari ose nga të paktën gjysma e anëtarëve të Komitetit qendror. Vendimi për kongres të jashtëzakonshëm merret nëse kërkesa miratohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Komitetit qendror.

Kohë më parë, Mickoski bëri kërkesë për kongres të jashtëzakonshëm por ajo u hodh poshtë nga Komiteti qendror i partisë.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button