Ligji që zëvendëson Balancuesin ndez përplasje të forta në Kuvend
Në komisionin për sistem politik ka filluar debati për nevojën e miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ligj i cili duhet të zëvendësojë balancuesin gjatë punësimeve. Gjatë prezantimit të ligjit, zv.kryeministri Bekim Sali njoftoi se ligji gëzon mbështetjen edhe të Këshillit Evropian ndërsa është dhënë mendim pozitiv edhe nga komisioni i Venecias. Debati është në rrjedhë ndërsa deputetët e opozitës janë duke e kundërshtuar ashpër pasi siç thonë, ligji nuk garanton përfaqësim të drejtë në institucione dhe nuk ka mekanizma ndëshkues.
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet obligim ligjor për institucionet dhe nuk do të varet më nga vullneti i një drejtori, ministri apo interpretimi subjektiv i kujtdo. Vendoset mekanizëm qeveritar për ndjekjen e zbatimi të ligjit, trupi koordinues i udhëhequr nga zv.kryeministri do të mbledhë të dhënat që do të monitoroj gjendjen dhe do të raportoj para qeverisë. – Bekim Sali – Zv.kryeministër i parë. /Alsat.mk









