Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës

Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit që do të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës.

Kjo parti politike nuk ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asnjë kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje për kryetar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, apo për ndonjërën nga dy kuvendet komunale, Zveçan dhe Leposaviq.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit, 9 deri 22 mars, asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për pjesëmarrje gjatë këtij afati të ri.

“KQZ njofton se ka përfunduar periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill. Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 – 22 mars 2023) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas KQZ-së, në fund të vitit 2022, ky institucion kishte certifikuar 11 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhje në ndonjërën nga katër komunat, dhe 63 kandidatë për garën në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.

Siç njofton KQZ, subjektet e tyre nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikimin nga fillimi, por vetëm kanë konfirmuar kandidatët e certifikuar më herët.

“Nga 9 deri më 13 mars 2023, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Ndërsa, gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit shtesë (09 mars – 22 mars 2023), KQZ-ja nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.
Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button