LOE-ja kundërshton rritjen e pagës minimale

Gazetare: Andrea Cobanova

Paga minimale duhet të rritet bashkë me rritjen e ekonomisë, dhe jo me vendim politik, të cilin shumica e kompanive nuk do të mund ta paguajnë, shkruan Alsat.

Nga Lidhja e Odave Ekonmomike thonë se rritja e paralajmëruar e pagës minimale në 18 mijë denarë do të ndikojë negativisht tek kompanitë e vogla dhe të mesme. Rritja e numrit të të papunëve, pagesa e pagave me zarf, dhe mbyllja e bizneseve janë disa nga efektet që do të sjellë rritja e pagës minimale.

“Si përfaqësues të mbi 20 mijë kompanive, ndihemi përgjegjës për të paralajmëruar publikun për efektet negative të një rritjeje të tillë politike të pagës minimale, e cila do të shkaktojë destabilizimin e tregut tashmë jofunksional të punës. Nga seria e efekteve negative që do të shkaktojë do të ketë ndoshta ndikimin më të madh në produktivitet”, ka thënë Blagoj Grozdanov – LOE.

Sipas Lidhjes së Odës Ekonomike nëse do të ketë rritje të pagës minimale, atëherë autoritetet duhet të konsiderojnë uljen e taksës së paguar nga punëdhënësit për të lehtësuar barrën e kompanive.

“Nëse Qeveria është e sinqertë në synimet e saj për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët, atëherë duhet të zbatojë një masë që do të ulë normat e kontributeve, që janë në nivele ekstreme në vendin tonë. Në vendin tonë, norma efektive e kontributeve dhe tatimit mbi të ardhurat personale në pagën bruto është 33 për qind, ndërsa për krahasim në Gjermani është 27 për qind, Bullgari 19 për qind, Slloveni 18 për qind, Kroaci 17 për qind”, u shpreh Aleksandra Andreeva- LOE.

Kërkesën për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë e kanë iniciuar sindikatat në vend, për shkak të, siç thonë, rritjes së kostos së jetesës, të shkaktuar nga kriza ekonomike. Autoritetet kanë bërë të ditur se negociatat me sindikatat kanë nisur dhe rritja mund të bëhet pas Vitit të Ri. Aktualisht në vend paga minimale është 15.200 denarë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button