LSDM pa koment për sharjen e Talat Xhaferit, nuk e dinë nëse është autentike

LSDM pa koment për sharjen e Talat Xhaferit, nuk e dinë nëse është autentike

Gazetar: Lluka Andreev

Socialdemokratët nuk e komentojnë regjistrimin skandaloz në të cilin dëgjohej fjalori vulgar i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, shkruan Alsat.

Partia iu referua deklaratës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili tha se në incizim nuk dëgjohet se kush kujt i drejtohet. Mirëpo, Xhaferi deri më tani nuk e ka mohuar se zëri i tij nuk është në incizim.

“Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, kanë dhënë mendim në lidhje me regjistrimin, dhe nuk do të kemi çfarë të shtojmë derisa të konfirmohet vërtetësia e tij”, thonë nga LSDM.

Opozita kërkoi paraprakisht nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Rregulloren, Panço Minov që të thërrasë menjëherë seancë për shkak të shkeljes së rëndë të Kodit Etik. Sipas opozitës me sharjet dhe ofendimet, të cilat Xhaferi dyshohet se ua ka drejtuar punonjësve të shërbimeve parlamentare, ka shkelur nenin 14 të Kodit. Nga ana tjetër, Panço Minov thotë për Alsat se do të mblidhte seancë dhe do të niste procedurë, por fillimisht duhej të merrte kërkesë me shkrim dhe prova. Ai nuk është përgjigjur nëse dhe si mund të konfirmohet vërtetësia e regjistrimit. VMRO-DPMNE sot sërish ka kërkuar përgjegjësi nga Xhaferi.

“Talat Xhaferi ka shkelur Kodin e Etikës dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi! LSDM dhe Qeveria heshtin vetëm për të mbetur në pushtet! “Dimitar Kovaçevski shtiret si i paaftë, edhe pse Talat Xhaferi dhe Kuvendi e kanë pranuar vërtetësinë që është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin parlamentar!”, deklaroi Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Megjithatë, deri më tani as Xhaferi dhe as Kuvendi nuk kanë komentuar për regjistrimin. Nga Kabineti i Kryeparlamentarit njoftuan shkurt se nuk do të komentojnë fare ngjarjen. Xhaferi pas njoftimit ende nuk ka dalë para mediave. Ai sot ishte në vizitë pune në Gjermani./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button