Lufta në Ukrainë, Rubio: Tërhiqemi nëse nuk ka sinjale të qarta për marrëveshje
Lufta në Ukrainë, Rubio: Tërhiqemi nëse nuk ka sinjale të qarta për marrëveshje

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje. Kështu deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Kryediplomati Rubio tha se presidenti Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por është i gatshëm të tërhiqet nëse nuk ka sinjale të menjëhershme të përparimit. Rubio mori pjesë në bisedimet njëditore në Paris të mbajtura të enjten, ku ishin të pranishëm zyrtarët evropianë dhe ukrainas. Kryediplomati amerikan tha se diskutimet ishin konstruktive dhe rezultuan në një përmbledhje të hapave drejt paqes. Franca ishte mikpritëse e takimit dhe për herë të parë, zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë u takuan së bashku për të diskutuar për përfundimin e luftës.
“Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu. Ne do të dëshironim që ata të mbeten të angazhuar… Mendoj se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë që ta çojmë këtë çështje drejt një zgjidhjeje. Mendoj se ata ishin shumë ndihmues dhe shumë konstruktivë në idetë e tyre”, deklaroi Marko Rubio, Sekretar Amerikan i Shtetit. /Alsat.mk