Lufta / Shpresë për marrëveshje SHBA-Iran
Forcat e Shteteve të Bashkuara e kanë kapur një anije me flamur iranian në Gjirin e Omanit pasi kishin shtënë ndaj saj fillimisht, sepse ajo po përpiqej ta shmangte bllokadën detare amerikane, njoftuan presidenti Donald Trump dhe Pentagoni, duke e nxitur Iranin të kërcënojë me hakmarrje.
Ndërkohë, pasiguria lidhur me një raund të dytë të mundshëm të bisedimeve ballë për ballë mes delegacioneve amerikane dhe iraniane në Islamabad të Pakistanit, po vazhdon, pasi mediat shtetërore iraniane thanë se Teherani nuk do të dërgojë ekipin e tij për takimin e sotëm.
E gjithë kjo po ndodh ndërsa armëpushimi 10-ditor, për të cilin u pajtuan Uashingtoni dhe Teheranit, do të skadojë të mërkurën. Trump ka kërcënuar me sulme të reja ndaj “të gjitha” centraleve elektrike dhe urave iraniane, nëse nuk arrihet marrëveshja.
Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA raportoi se Teherani e ka hedhur poshtë rundin e ri të bisedimeve për paqe, vetëm disa orë pasi Trump tha se përfaqësuesit e tij do të mbërrinin në Islamabad të hënën për negociata të ndërmjetësuara nga Pakistani.
Qeveria e Iranit nuk ka bërë deklaratë zyrtare. Negociatori kryesor i Teheranit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, ka dhënë deklarata që tregojnë “përparim”, por njëkohësisht edhe “dallime të mëdha” lidhur me bisedimet. Ai, megjithatë, nuk ka folu drejtpërdrejt për bisedimet. Pasiguri ka edhe për përbërjen e delegacionit amerikan. Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti JD Vance do të drejtonte rundin e ri të bisedimeve, së bashku me të dërguarin e Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndrin Jared Kushner.
Më herët gjatë javës, kishte shpresa se Ngushtica e Hormuzit, e cila zakonisht përbën rreth një të pestën e tregtisë globale të naftës, do të hapej pas më shumë se një muaji mbylljeje, pasi Teherani njoftoi se ishte hapur për trafikun tregtar detar.
Megjithatë, forcat iraniane qëlluan ndaj të paktën tri anijeve civile, dy prej të cilave raportohet se ishin indiane dhe një me flamur francez, dhe njoftuan mbylljen e serishme të ngushticës./Alsat.mk.









