LVV s’ka marrëveshje për ndarje të ministrive me Osmanin, të shqetësuar edhe për votat e komuniteteve

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një marrëveshje me Listën e Vjosa osmanit për ndarje të posteve ministrore. Zëdhënësi i këtij subjekti, Përparim Kryeziu, është shprehur i bindur se me t’u certifikuar rezultatet do të formohen menjëherë institucionet e reja të vendit. Lëvizja Vetëvendosje po i konsideron shqetësuese edhe pretendimet se Lista Serbe ka deleguar vota për subjektet politike të minoriteteve jo serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, Kryeziu, deklaroi se nuk ka një marrëveshje sa i përket ndarjes së posteve ministrore me Listën e Vjosa Osmanit dhe e vetmja marrëveshje mes kësaj liste dhe LVV-së është ajo e parimeve.

Ai thotë se bashkëpunimi mes tyre nuk është i kufizuar në logjikën e ndarjes së posteve e pozitave, por në logjikën e bashkëqeverisjes. Postet, sipas tij, nuk do të bëjnë asnjë problem në bashkëpunimin mes tyre.

“Edhe bashkëpunimi me znj.Osmani do të jetë jo i kufizuar në logjikën e ndarjes së posteve e pozitave, po në logjikën e bashkëqeverisjes ashtu që të dy palët të ofrojnë personat më të mirë në fushat e caktuara. Kur të vjen koha që këto diskutime të ndodhin ato besoj që në momentin e parë do të bëhen edhe publike cilado qoftë vendimmarrja. Po edhe një herë po them që lajmi i mirë në mesin e shumë lajmeve të mira nga bashkëpunimi me znj.Osmanin është që bashkë me emancipimin qytetar po ashtu po ndodh edhe një emancipim politik brenda aktorëve politik që po e kuptojnë që tash e tutje bashkëpunimi duhet të jetë gjithmonë me synim të bashkëqeverisjes e jo me synim të ndarjes së posteve, pozitave për përfitime partiake e personale”, vijoi Kryeziu.

Megjithatë, ai thotë se për numrin e posteve ministrore që do të ketë Lista e Vjosa Osmanit mund të diskutohet vetëm në organet e partisë dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Këtë nuk mund ta them tani (sa ministra mund t’i takojnë Osmanit) për shkak se për këtë duhet të diskutohet brenda organeve të Lëvizjes Vetëvendosje, e ai diskutim ndodh pas certifikimit të rezultateve dhe pasi që të ketë secili një pasqyrë të saktë të numrit të deputetëve brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vetëm atëherë pasi që të ndodh ky proces, pasi që të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve do të ketë takime brenda organeve të brendshme sikurse do të ketë edhe takime dypalëshe mes përfaqësuesve të LVV-së dhe znj.Osmani. Por, që unë konsideroj nuk do të përbëjnë asnjë pengesë për kulmimin e bashkëpunimit të deri më tanishëm në bashkëqeverisje, për shkak që edhe një herë bashkëpunimi më të vërtetë ka qenë i sinqertë, ka qenë i dyanshëm dhe më qëllime të përbashkëta”, thotë ai.

LEXO EDHE:

Back to top button