Machu Picchu rihapet pas 25 ditë protestash masive

Machu Picchu rihapet pas 25 ditë protestash masive

Vendi arkeologjik i Machu Picchu dhe një xhevahir i sektorit të turizmit në Peru, u rihap dhe filloi të mirëpresë vizitorët të mërkurën, pas 25 ditësh nga mbyllja e atraksionit me famë botërore për shkak të protestave masive që po tronditin vendin e Amerikës Latine që nga dhjetori.

Turistët e parë hynë në zonën arkeologjike mëngjesin e djeshëm, tha një gazetar i AFP. Ata ishin në gjendje të vizitonin sektorë dhe vende të ndryshme kulti me qetësi, pasi nuk kishte aq shumë njerëz.

Rreth 700 turistë, kryesisht britanikë dhe francezë, kanë vizituar zonën arkeologjike deri pasditen e djeshme, sipas Ministrisë së Kulturës, zyrtarë të së cilës morën pjesë në hapjen e zonës arkeologjike.

“Kapaciteti përfshin 4,044 vizitorë në ditë nga ora 06:00 deri në orën 16:00,” tha Maritza Rosa Cadia, kreu i shërbimeve të ministrisë në Cusco , kryeqyteti i ish-perandorisë Inca, i cili është 110 kilometra nga Machu Pichu.

Monumenti, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, i mbrojtur nga UNESCO që nga viti 1983, u mbyll më 21 janar kur demonstratat e mijëra njerëzve që kërkonin dorëheqjen e Presidentes Dina Bolluarte arritën kulmin.

Linja hekurudhore, mjeti i vetëm për të mbërritur në Machu Picchu nga qyteti Oyadaitambo, një distancë prej 30 kilometrash, u ndërpre për 18 ditë.

Autoritetet thanë se protestuesit dëmtuan shinat. Rajoni u përball me mungesa të produkteve thelbësore për shkak të ndërprerjes së shërbimeve të trenave. Javën e kaluar trafiku hekurudhor rifilloi pjesërisht, por qasja në trena iu ofrua vetëm vendasve.

Candia shpjegoi se autoritetet shfrytëzuan mbylljen e zonës arkeologjike për të vazhduar me “mirëmbajtjen” e shtigjeve .

Turizmi është një sektor kyç i ekonomisë peruane, ndërkohë që ofron mundësi punësimi për shumë peruanë, përpara shpërthimit të koronavirusit në vitin 2020, vendi kishte rreth 4.5 milionë vizitorë në vit.

LEXO EDHE:

Back to top button