Macron: Lufta në Ukrainë do të zgjasë

Gazetar: Luka Andreev 

A do t’i nënshtrohet Rusia sanksioneve perëndimore? Moska është e vendosur të vazhdojë veprimet luftarake, ndërsa Kievi shpreson se ndihma e partnerëve do japë rezultate, shkruan Alsat.

Rusia është gjithnjë e më  afër t’u përgjigjet sanksioneve perëndimore. Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitri Medvedev, ka thënë se operacioni ushtarak në Ukrainë do të zbatohet plotësisht dhe se sanksionet nuk do të ndryshojnë politikën e Moskës.

“Ka lajme të mira. Sanksionet mund të jenë një arsye e shkëlqyer për të rishqyrtuar përfundimisht të gjitha marrëdhëniet me vende që na i kanë vendosur ato. Përfshirë edhe vënien fund të dialogut strategjik të stabilitetit”, tha  Dmitri Medvedev – ish president i Rusisë

Udhëheqësit perëndimorë, ndërkohë, janë të bindur se sanksionet do të japin rezultate dhe së fundmi, kryeministri britanik Boris Xhonson paralajmëroi rusët për pasojat me të cilat mund të përballen.

“Veprimet e Putinit çojnë në izolimin e plotë të Rusisë, e izoluar nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, e goditur nga sanksione të mëdha ekonomike dhe e përballur me një luftë të panevojshme dhe të përgjakshme që tashmë po u kushton jetën ukrainasve të pafajshëm dhe ushtarëve tuaj rusë, të cilët kurrë nuk do i shohin sërish familjet e tyre dhe të miqve të mi rusë”, tha Boris Xhonson – Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

Presidenti ukrainas Zelenski tha se koalicioni kundër luftës po funksionon, por bëri thirrje edhe për një hap tjetër, për siç thotë, mbështetje shtesë.

“Unë e them këtë me aq sinqeritet sa mundem, populli ukrainas e meriton dhe ka të drejtën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo do jetë prova kryesore e mbështetjes për vendin tonë”, tha Volodymir Zelenski – Presidenti i Ukrainës

Ndërsa tensionet në Ukrainë janë në kulmin e tyre, presidenti francez Makron nuk është optimist se marrëdhëniet Moskë-Kiev do të qetësohen së shpejti.

“Kjo luftë do të zgjasë. Dhe të gjitha krizat e mëvonshme do të kenë pasoja të përhershme. Duhet të përgatitemi me shumë vendosmëri dhe shumë solidaritet”, tha Emanuel Makron – President i Francës

Shanset që Zelenski dhe Putin të ulen në bisedime janë gjithnjë e më të vogla. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Putin mbrëmë ka urdhëruar ndalimin e luftimeve, në pritje të fillimit të dialogut. Por, siç thotë Peskov, për shkak se kjo nuk ndodhi, beteja vazhdon. Zelenski ishte i pari që kërkoi bisedime të ndërmjetësuara nga Izraeli, ndërsa Moska këmbënguli që bisedimet të zhvillohen në Minsk. /Alsat.mk

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button