Rezistenca e ukrainasve ndaloi pushtimin rus

Gazetar: Luka Andrev 

Dita e tretë e sulmeve ruse në Ukrainë. Megjithatë, pavarësisht sulmeve të intensifikuara, ushtria e Putinit ka hasur në rezistencë të fortë dhe ende nuk është në gjendje të hyjë në Kiev. Banorët e kryeqytetit kanë kaluar një natë tjetër pa gjumë, shkruan Alsat.

Një shpërthim i fortë ka shqetësuar banorët në këtë pallat në periferi të qytetit.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë banorë të lënduar dhe deri më tani kemi gjetur gjashtë. Në dy kate kishte zjarr. Tetëdhjetë banorë janë evakuuar”, tha Pietro Prokopov- zjarrfikës

Nuk ka viktima, por ka të lënduar, mes tyre edhe fëmijë, njoftoi kryetari i Kievit Kliçko, duke shtuar se do ta përforcojë orën policore, dhe të gjithë ata që do të jenë në rrugë do të konsiderohen armiq.

“Grupet subversive tani veprojnë në Kiev, ka pasur disa përplasje dhe të shtëna. Deri në orën 6 të mëngjesit janë plagosur 35 persona, mes tyre dy fëmijë. Kërkoj nga të gjithë të jenë të qetë dhe të qëndrojnë në strehimore. Armiku do të sulmojë nga ajri”, tha Vitali Kliçko- Kryetar i Kievit

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes mohon se kanë pasur në shënjestër objekte civile.

“Më lejoni të theksoj sërish se objektivi ynë janë vetëm objektet ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe ne përjashtojmë dëmtimet në ndërtesat e banimit dhe ato publike”, tha Igor Konashenkov – Zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse 

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, theksoi se armiku po shkatërronte komplekset e banimit me raketa dhe njoftoi se së shpejti do të publikojë detaje se si çdo i interesuar mund të bashkohet me ushtrinë ukrainase, duke porositur “Ne do të fitojmë!”.

“Kushdo që mund të kthehet në Ukrainë, le të vijë dhe ta mbrojë Ukrainën. Do të kemi shumë punë ta rindërtojmë sërish. Kushdo që mund ta mbrojë Ukrainën nga jashtë, le ta bëjë këtë vazhdimisht, me këmbëngulje dhe në komunitet. Të gjithë miqtë e Ukrainës që duan të bashkohen në mbrojtjen, ejani dhe ne do t’ju japim armë”, tha Volodimir Zelenski- Presidenti i Ukrainës

Pavarësisht raporteve ruse se qytetet Bahmutovka dhe Greçishkino janë pushtuar, luftimet e ashpra vazhdojnë në Ukrainën lindore dhe në rajonin e Donbasit. Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës, tha se 198 ukrainas janë vrarë, duke përfshirë dy fëmijë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes tha se armiku kishte “humbur” më shumë se 2,800 trupa. Nuk ka asnjë konfirmim të këtyre të dhënave nga Moska. Zyrtarët rusë thonë se kanë shkatërruar 14 aeroporte ushtarake, 19 qendra komandimi dhe 48 tanke. Sipas inteligjencës britanike, viktimat ruse do të jenë më të mëdha se sa pret Kremlini, dhe efikasiteti i forcave ajrore ruse do të ulet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button