“Make Europe Great Again”: Hungaria merr presidencën e BE-së

“Make Europe Great Again”: Hungaria merr presidencën e BE-së

Hungaria merr presidencën e radhës së Këshillit të BE me pasoja të mundshme për Ukrainën dhe politikën ndaj klimës. Si do të shkojnë punët në BE, kur shumë procese do të drejtohen nga një anëtar që mendon ndryshe?

Nuk qe ndonjë surprizë, kur Hungaria prezantoi këtë javë një slogan zyrtar me tone si të presidentit Donald Trump për presidencën e saj gjashtëmujore të BE, megjithatë “Make Europe Great Again” çuditi shumëkënd në Bruksel.

Kryeministri ultranacionalist dhe populist i Hungarisë, Viktor Orban, një aleat i ngushtë i ish-presidentit amerikan Donald Trump, është lideri më euroskeptik në Bashkimin Evropian.

Në dekadën e kaluar qeveria e tij është përplasur me zyrtarët e BE dhe shtetet e tjera anëtare për shkak të deficiteve të brendshme demokratike, migrimit dhe së fundmi për mbështetjen ushtarake të unionit për Ukrainën.

Budapesti shpesh ka venë veton në votime kyçe, duke u bërë pengesë, kur të gjithë të tjerët ishin gati të merrnin vendime. Për shkak të cënimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit atij nuk iu dorëzuan fillimisht miliarda euro nga fondet e BE, megjithëse disa prej tyre u çbllokuan pas reformave. Dhe javën e kaluar Hungaria u gjobit me 200 milionë euro (216 milionë dollarë) për shkeljen e ligjit të BE për azilin.

Pikëpyetje për aftësinë për ta kryer detyrën

Presidenca e Këshillit të BE është një funksion me rotacion gjashtëmujor, që kalon ndër 27 shtetet anëtare. Duke pasur parasysh, që roli i presidencës është të veprojë si një “ndërmjetës i ndershëm” mes anëtarëve duke dalë mbi interesin kombëtar dhe se vendi që ka presidencën është përgjegjës për çuarjen përpara të agjendës ligjore të unionit, Parlamenti Evropian e vuri në pikëpyetje aftësinë e Budapestit për ta ushtruar këtë detyrë.

Qershorin e kaluar shumica e ligjvënësve të BE miratuan një rezolutë, në të cilën ngrinin pyetjen “si do të jetë në gjendje Hungaria ta përmbushë me besueshmëri këtë detyrë në vitin 2024, duke pasur parasysh mospërputhjet e saj me legjislacionin e BE”. Por ky kundërshtim jo obligativ mbeti pa rezultat.

Më 1 korrik Hungaria do të fillojë të kryesojë takimet dhe samitet ministrore, duke marrë stafetën nga Belgjika, e cila ka aktualisht presidencën. Deri në fund të vitit ajo do të përfaqësojë edhe shtetet e tjera anëtare në negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian, ekzekutivin e BE.

„Ndërmjetësues të ndershëm” me një nuancë trumpiane

Në një konferencë shtypi në Budapest të martën ministri hungarez për çështjet e BE Janos Boka u zotua se vendi i tij do të punojë në mënyrë produktive. “Si presidencë ne do të jemi ndërmjetësës të ndershëm dhe do të bashkëpunojmë me besnikëri me të gjitha shtetet anëtare dhe institucionet”, tha Boka.

Boka tha, se Hungaria gjatë mandatit të saj do të përpiqet të rrisë konkurrencën ekonomike të BE, të forcojë politikën e mbrojtjes, të synojë një “politikë zgjerimi të qëndrueshme dhe të bazuar në merita” dhe të frenojë migrimin e paligjshëm përmes forcimit të kufijve dhe dëbimeve më efikase në bashkëpunim me vendet jo anëtare të BE.

Përveç kësaj Budapesti do të synojë të riformësojë Fondin e Kohezionit, i cili kërkon të mbyllë boshllëqet mes rajoneve më të pasura dhe atyre më të varfra, të promovojë një “politikë bujqësore evropiane në përputhje me fermerët”, duke mbajtur parasysh protestat kundër masave të BE për klimën dhe të shqyrtojë sfidat demografike, vazhdoi ai.

Dhe pastaj pasoi slogani zyrtar: “Ta bëjmë Evropën të madhe përsëri”, tha Boka, duke u mbështetur qartë te slogani i famshëm i Trumpit “Make America Great Again”, të cilin mund ta shohësh në kapelet e kuqe të bejsbollit në të gjithë SHBA-në.

“Kjo në fakt tregon … pritshmërinë, që të bashkuar të jemi më të fortë se secili më vete, por që duhet të lejohemi të mbetemi ata që jemi, kur mblidhemi së bashku”, tha Boka duke shpjeguar sloganin e Hungarisë.

Një anëtar ‘rebel’ merr frenat

Alberto Alemanno, profesor i së drejtës së BE në universitetin HEC Paris, ka mbështetur idenë, që Hungarisë t’i refuzohet presidenca.

“Shqetësimi im kryesor për presidencën hungareze është (se ajo do të) vazhdojë ta normalizojë idenë, që një shtet anëtar rebel mund të shkelë rregullat e lojës dhe megjithatë të përfitojë nga loja”, i tha ai DW në një deklaratë me shkrim.

Budapesti merr kryesimin në një moment tranzicioni në Bruksel. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian u zhvilluan në qershor dhe përbërja e Komisionit të ri Evropian do të përcaktohet përfundimisht në fund të vitit. Kjo ndoshta nënkupton shumë pak nisma të reja ligjore.

Ritme të ngadalta për anëtarësimin e Kievit

Një fushë, që mund të ketë pasoja të mundshme, është kandidatura në fazën fillestare e Ukrainës për anëtarësim në BE. Kievi shpreson të përparojë në këtë drejtim, duke hapur bisedime konkrete për reformat e nevojshme, të njohura në zhargonin e BE si “kapituj negociues”.

Të martën (18.06) Boka la të kuptojë se asnjë lëvizje e madhe nuk do të ndodhte përpara vitit 2025. “Sipas pritshmërive të mia gjatë presidencës hungareze çështja e hapjes së kapitujve nuk do të ngrihet fare”, u tha ai gazetarëve.

‘Green Deal’ nën presionin e së djathtës

Alemmano beson gjithashtu se presidenca hungareze mund të ketë ndikim në politikat bazike të BE për klimën, sidomos në përcaktimin e objektivave të vitit 2030, që do ta shpien BE në rrugën e duhur drejt objektivit të saj të përgjithshëm për emetime neto zero deri në vitin 2050.

“Qeveria hungareze e partisë Fidesz ka kritikuar shpesh ‘Green Deal’ të BE dhe agjendën e klimës”, thotë ai. “Brenda një peizazhi politik, që pritet të zhvendoset djathtas (pas zgjedhjeve të fundit të BE), prania në krye të Këshillit e një vendi skeptik ndaj klimës gjatë gjysmës së dytë të 2024 mund të këtë ndikim në qëndrimin e BE”, argumentoi Alemanno.

Priten ‘tundime’ por jo shqetësime të mëdha, paralajmëron diplomati

Megjithatë ndikimi i rolit të presidencës së BE nuk duhet të mbivlerësohet. Shumica dërrmuese e propozimeve ligjore vijnë nga Komisioni Evropian dhe nënshkruhen nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

Një diplomat evropianoperëndimor pa dashur të identifikohet i tha DW-së, se priten gjashtë muaj mjaft normalë. “Orban dhe njerëzit e tij janë shumë të vetëdijshëm se shtetet e tjera anëtare do të ndërhyjnë dhe do të marrin drejtimin, nëse ata pështjellojnë agjendën e BE”, tha diplomati për DW.

“Më së shumti ata do të përdorin platformën për të na tunduar, si me sloganin e tyre. Varet nga ne që të jemi të disiplinuar sa duhet, për të mos e ngrënë atë karrem”, tha ky burim./DW/

LEXO EDHE:

Back to top button