Makron i fton në takim Radevin dhe Petkovin

Makron i fton në takim Radevin dhe Petkovin

Gazetar: Lluka Andreev

Përpjekje e re e presidencës franceze për të caktuar Konferencën e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë, e cila praktikisht do të fillonte negociatat për anëtarësim. Sipas agjencisë bullgare të lajmeve BGNES, presidenti francez Emmanuel Makron ftoi homologun e tij bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin Kiril Petkov në një takim në Paris, ku supozohet se do të merrnin një garanci se të gjitha kërkesat e Sofjes do të ishin pjesë e kornizës negociuese për vendin, që Bullgaria në këmbim të kësaj ta heqë bllokadën. Petkov mëngjesin e sotëm nuk e mohoi se do të niset për në Paris, ndërsa i pyetur nëse pret që mosmarrëveshja të zgjidhet në qershor, ai u përgjigj:

“Edhe nga Evropa varet se në çfarë shkalle do t’i pranonin kushtet që janë shumë të rëndësishme për Bullgarinë. Tani janë në nivelin e diplomatëve dhe lërini ata të bëjnë punën e tyre, pastaj do të vijë në nivelin e politikanëve dhe në fund Parlamenti bullgar, i cili do të duhet ta marrë vendimin përfundimtar të vështirë”, deklaroi Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.

Ndërkaq, ministrja e Jashtme bullgare Teodora Gençovska tha se diplomatët nga të dyja vendet, të cilët po negociojnë për çështje të hapura politike, do të takohen sërish në Shkup së shpejti.

“Unë mendoj se ka ardhur koha ti ulim tensionet midis dy ministrive të jashtme, dhe të shkojmë formalisht ta vizitojmë në baza reciproke, ekipin e ekspertëve nga Maqedonia e Veriut”, u shpreh Teodora Gençovska – Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Sipas BGNES, partnerët e koalicionit të Petkovit, të cilët ishin kundër arritjes së një zgjidhjeje dhe e akuzuan se bën një politikë të butë ndaj Maqedonisë, në takimin e koalicionit thanë se deputetët e tyre do të votonin sipas ndërgjegjes personale, dhe ranë dakord që të mos e komentojnë publikisht kontestin me vendin dy javët e ardhshme. Nëse Parlamenti bullgar e pranon zgjidhjen, me një kornizë negociuese, që do ti përmbajë të gjitha kërkesat e Sofjes, topi do të kalojë në Shkup. Porpozim-korniza negociuese e Brukselit, e cila do të duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare, do të hidhet në votim në Kuvendin e Maqedonisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button