Makron u largua nga Moska pa rezultate konkrete
Gazetar: Lluka Andreev
Misioni ndërmjetësues i presidentit francez Emanuel Makron nuk solli rezultate të menjëhershme. Pas një takimi në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, mediat franceze raportuan se Makronit i ishte premtuar se Rusia nuk do të zhvillonte më asnjë stërvitje ushtarake pranë kufirit me Ukrainën, shkruan Alsat.
Por, menjëherë arriti përgënjeshtrim nga Kremlini – kjo nuk u premtua, megjithëse nevojitet mos përshkallëzim i situatës. Në tavolinë janë shtruar zgjidhjet e mundshme.
“Patëm bisedë nga e cila dolën një numër i madh propozimesh për të cilat mendoj se Rusia dhe Franca po i afrojnë qëndrimet”, deklaroi Emanuel Makron – President i Francës.
“Ne ramë dakord, pas vizitës së Makronit në kryeqytetin ukrainas, të dëgjohemi dhe të shkëmbejmë mendime mbi këto propozime”, tha Vladimir Putin – President i Rusisë.
Pas mbërritjes në Kiev, përpara takimit me Volodimir Zelenskin, Makroni përsëriti se kishte marrë garanci nga Putini se situata nuk do të përkeqësohej më tej, duke shtuar se e kuptonte nervozizmin e homologut të tij ukrainas, pasi kishte 125,000 trupa ruse në kufi. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitri Kuleba tha se Kievi është për zgjidhjeje diplomatike, por pa kaluar vijat e kuqe. Paraprakisht në nga Uashingtoni, presidenti Xho Bajden tha në një konferencë të përbashkët shtypi me Olaf Sholc se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë gati nëse përpjekjet diplomatike dështojnë.
“Nëse Rusia bën invazion, që do të thotë se tanket dhe trupat kalojnë përsëri kufirin në Ukrainë, atëherë nuk do të ketë më gazsjellës “Rrjedha veriore -2”, u shpreh Xho Bajden – President i Shteteve të Bashkuara.
Bajdeni zbuloi gjithashtu se i kishte thënë kancelarit gjerman që të kompletohet integrimi i Ballkanit Perëndimor në Union, sepse vetëm kështu Evropa do të ishte e lirë dhe në paqe. Ukraina, ndërkohë, ka përsëritur qëndrimin e saj për anëtarësimin në NATO, por Rusia po kërkon garanci me shkrim se Aleanca nuk do të zgjerohet më në fqinjësinë e saj./Alsat.mk








