Manastirliu: Do të vaksinojmë deri në 15 mijë persona në ditë
“Akti normativ që ne miratojmë sot, i ka hapur rrugë negociatave me kompani prodhuese, me distributorë të autorizuar të vendeve të cilët kanë certifikimet e duhura, në mënyrë që ne të kemi disponibilitet në vaksina dhe të vijojmë me planin tonë të vaksinimit dhe me intensifikimin e tij, për të arritur tek vaksinimi masiv, i cili është objektivi ynë kryesor, në mënyrë që gjatë muajve të verës të kemi një lloj lehtësie”, kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, teksa foli për aktin normativ që pritet të miratohet.
Manastirliu nënvizoi se më fillimin e vaksinimit masiv, objektivi është të vaksinohen nga 10 mijë në 15 mijë qytetarë në ditë.
“Jemi duke punuar në mënyrë që edhe kapacitetet tona t’i kemi të përgatitura, që të kemi mundësi të aplikojmë nga 10 deri 15 mijë vaksinime në ditë, në mënyrë që të kemi mundësi të vaksinojmë shpejt popullatën”, tha Manastirliu.
Duke bërë me dije që në Shqipëri deri tani kanë mbërritur mbi 90 mijë doza të vaksinave antiCOVID, Manastirliu tha se me dozat e ardhura dje të vaksinave Sputnik, do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç.








