Maqedoni, gjobiten 220 motoçiklistë dhe 89 shoferë për vozitje në gjendje të dehur

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski sot tha se gjatë ditës së djeshme janë gjobitur 89 shoferë që kanë vozitur në gjendje të dehur në gjithë territorin si dhe 220 motoçiklistë të cilët nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit.

Ai theksoi se këto kontrolle do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, dhe potencoi se ka ulje të aksidenteve në kohën kur ka kontrolle të tilla.

“Aksionet e përforcuara vazhdojnë edhe sot edhe gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa është evidentuar ulja e aksidenteve në periudhën kur këto kontrolle po zbatohen. Si rezultat i masave të ndërmarra, është zvogëluar numri i viktimave në aksidente nga ku gjatë vitit 2020 kishte numrin më të vogël me 125 viktima. Edhe gjatë vitit 2021 vazhdon trendi i uljes së numrit të viktimave nga aksidentet në komunikacion. Në periudhën nga 1 janari deri më 15 prill numri i aksidenteve është ulur për 12% në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, ndërsa numri i viktimave është ulur për 14%”, tha Angellovski.

Angellovski tha se këto kontrolle janë kryesisht për kundërvajtjet që sipas analizave të MPB-së, janë arsye më të shpeshta për aksidente siç është tejkalimi i shpejtësisë dhe vozitja nën ndikimin e alkoolit.

“Ju bëjmë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregulat në mënyrë që të kemi komunikacion më të sigurt”, tha Angellovski.

LEXO EDHE:

Back to top button