Maqedonia e Veriut shënon 34 vjetorin e pavarësisë

Maqedonia e Veriut shënon 34 vjetorin e pavarësisë

Gazetare: Melihate Rustemi

Vendi po shënon sot 34 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Mickoski tha se 8 shtatori nuk është vetëm një datë simbolike, por një moment kthese historike për popullin, një kohë kur u ngrit direku i pavarësisë, një zjarr shekullor sfidues i shumë luftërave, sakrificave, vuajtjeve njerëzore, heroizmit, betejave dhe disfatave, u bë realitet.

“Sot duhet të marrim një vendim: të mos e lëmë atdheun të shuhet në heshtje, por të bëjmë çmos për të rikthyer shpresën, gëzimin dhe buzëqeshjen e një fëmije në çdo shtëpi. Por në të njëjtën kohë, duhet të sjellim edhe shpresë. Qeveria e sheh këtë çështje si një çështje të së ardhmes së kombit dhe për këtë arsye e vendos atë si një nga prioritetet më të larta kombëtare. Prandaj, Qeveria mbetet e përkushtuar për të investuar te njerëzit, te familjet, te çdo fëmijë i ri që lind”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe tha se tani është koha për të siguruar një të ardhme që nuk do të varet nga kush është në pushtet, por nga çfarë shteti kemi ndërtuar.

“Duhet ta mbrojmë këtë shtet, sepse nuk kemi tjetër. Dua t’i them qeverisë, ky është një vend për të gjithë. Nuk është vetëm i juaji. Bëj thirrje për ndërgjegjësim politik dhe shtetëror. Patriotizëm është të luftosh për ajër të pastër, të mos djegësh deponitë dhe të mos bësh asgjë për këtë. Patriotizëm është të ndihmosh më të dobëtit dhe më të varfrit, të mos mendosh vetëm për veten dhe të shpenzosh burime shtetërore në mënyrë që të mos ketë mjaftueshëm për qytetarët”, tha Venko Filipçe, kryetar I LSDM-s.

Zv.Kryeministri i parë Izet Mexhiti tha se 8 Shtatori është dita kur qytetarët zgjodhën të largohen nga Jugosllavia dhe të ndërtojnë një shtet të pavarur.

“Sot ky shtet është i përbashkët, multietnik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE. Le ta respektojmë këtë rrugë, të bashkëjetesës dhe të së ardhmes evropiane. Sot të kujtojmë obligimet që qëndrojnë para nesh, të ndërtojmë një sistem të drejtë, të mundësojmë jetë më të mirë, të ndërtojmë shkolla dhe kopshte, të kemi shëndetësi të mirë. Qytetarët tanë të jetojnë këtu, të kthehen, e jo të largohen”, theksoi Izet Mexhiti, VLEN.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se përvjetori i shpalljes së pavarësisë është gjithmonë shkas për të reflektuar mbi atë se ku ishim, ku jemi dhe ku duhet qenë. Ai tha se sot po cenohet bashkëjetesa dhe marrëdhëniet ndëretnike.

“Të nderuar maqedonas, asnjë rrezik, asnjë maqedonasi, e aq më pak shtetit, nuk i kanoset nga barazia me shqiptarët. Po e ritheksoj, shqiptarët duan shtet unitar, të barabartë, të integruar në NATO dhe në BE. Çdo gjë tjetër që dëgjoni në vazhdimësi nga elita politike maqedonase është mashtrim. Në këtë përvjetor, ftoj liderët politik maqedonas nga i gjithë spektri politik që të heqin dorë nga politika e instalimit të percepcionit të gabuar tek maqedonasit për shqiptarët dhe bashkëjetesën, të dëshmojnë lidership”, tha Ali Ahmeti, kryetar I BDI-s .

Trazirat politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet çuan në shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi. Më pas, në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Me çka Maqedonia shpalli pavarësinë. Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button