Maqedonia, kritika për korrupsion

Maqedonia, kritika për korrupsion

Gazetar: Mefail Ismaili

Ndër vite Maqedonia e Veriut nuk arrin të çrrënjosë korrupsionin. Sipas raporteve të përvitshme të institucioneve ndërkombëtare, kjo dukuri vazhdimisht “lulëzon”. Kritika të theksuara për korrupsionin pati edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, shkruan Alsat.

Ekspertët vlerësojnë se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është një metastazë që vështirë se mund t’i gjendet zgjidhje. Profesori Bashkim Selmani thotë se ata që duhet të luftojnë korrupsionin janë vet pjesë e saj.

“Fatkeqësisht ata që duhet të luftojnë korrupsionin janë pjesë e krimit dhe çështjeve që kanë të bëjnë edhe me bllokimin e të gjitha institucioneve, për shkak se tani më korrupsioni jo vetëm që është metastazë në Maqedoni, por shumë pak ka përpjekje për të rezultuar sepse nëse do të analizohen procedurat gjyqësore, se a luftohet korrupsioni duhet të dëshmohet në bazë të proceseve të përmbyllura gjyqësore. Fatkeqësisht asnjë nuk ka të mbyllur, por vetëm janë në ndjekje e sipër të cilët rezultojnë më shumë duke e zgjeruar korrupsionin dhe kjo është ajo e meta institucionale me të cilin ky trekëndësh nuk fokusohet për të luftuar korrupsionin”, tha Bashkim Selmani, profesor.

Sipas profesorit Selmani, shpëtim për vendin është ndërtimi i një institucioni të veçantë ndërkombëtar që do të luftonte korrupsionin. Ndërsa sipas Finance Think, raporti i KE-së, tregon qartë se vendi ka problem edhe luftën kundër ekonomisë gri.

“Goditjet më të mëdha janë dhënë gjatë zvogëlimit të tatimeve të të ardhurave në vitin 2008 dhe vendosjen e pagës minimale në vitin 2021. Çfarëdo qoftë përfitimesh nga zvogëlimi i ekonomisë gri nuk mund të bëhen pa funksionim të fuqishëm dhe të paanshëm të institucioneve që janë kompetente për t’u marrë me të. Theksojmë se pa rezultate të dukshme në sferën e luftës ndaj ekonomisë gri, siç thotë edhe vetë Raporti, si dhe vendosja e tatimeve të reja dhe më të larta, ekonomia gri do të jetë vetëm në rritje..”, thotë “Finance Think”.

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian korrupsionin e konsideron si një ndër tre problemet kryesore në vend, krahas problemeve ekonomike dhe papunësisë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button