Maqedonia për tre vjet do të mbetet pa piroteknikë

Miki Trajkoski

Për tre vjet Maqedonia do të mbetet pa piroteknikë, përkatësisht ekspertë për demontimin e mjeteve shpërthyese. Aktualisht vetëm shtatë janë duke punuar, por janë në prag të pensionimit. Nëse dihet se në mbarë Maqedoninë ka ende një numër të madh të granatave të pashpërthyera nga luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, ky personel është më se i nevojshëm, thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

 “Fjalë për fjalë ata njerëz janë të gjithë të moshuar. Ata ka kohë që kanë kaluar kufirin e piroteknikëve. Sa vite nuk është punësuar asnjë piroteknik? 16 vjet që nuk është punësuar. Sepse, është punë me rrezik, dhe kushtet e punës nuk na janë përshtatur fare. Deri më tani kemi qenë një shtet ku nuk kemi pasur stazh me beneficione, edhe pse janë profesione me rrezik maksimal”.- deklaroi Eftim Mitrov, Piroteknik, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ekspertët gjithashtu besojnë se nevoja për staf të ri është më se e nevojshme.

 “Burimet njerëzore dhe teknike janë një nga faktorët kyç. Rritja e numrit të punonjësve dhe sigurisht prokurimi i pajisjeve moderne. Si rezultat i projektit, ne do t’u ofrojmë këtyre dy institucioneve një mjet softuerik që do t’i ndihmojë shumë në punën e tyre në terren.”- tha Marina Sazdovska, Fakulteti i Sigurisë.

Ndonëse kanë kaluar 105 vjet nga Lufta e Parë Botërore, në vend që të zvogëlohet, numri i mjeteve të gjetura të pashpërthyera në vendin tonë po rritet. Ky numër pritet të rritet në 15 vitet e ardhshme.

 “Përndryshe, të gjitha ato mjete janë në rregull me ndezës. Ata janë të gjitha në rregull dhe presin viktima ….”- pohoi Eftim Mitrov, Piroteknik, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Rajonet më të rrezikshme janë Manastiri dhe Strumica. Linja e ish-frontit të Selanikut është e mbushur me mjete të pashpërthyera dhe atje ka thuajse ndërhyrje të përditshme. Në dhjetë vitet e fundit ka pasur një viktimë nga granatat e pashpërthyera, dhe katër raste të personave të lënduar, që kanë mbetur invalidë. Edhe Liqeni i Ohrit nuk është pastruar plotësisht nga mjetet e pashpërthyera. Në aksionin e disa viteve më parë u nxorën 8000, dhe pritjet janë që ka të paktën edhe po aq. Këto ditë në Ohër u mbajt një punëtori me qëllim që Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, t’u ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të tyre, për gjetjen dhe neutralizimin e mjeteve të pashpërthyera.

 

LEXO EDHE:

Back to top button