Maqedonia përgatitet për Armeninë, Totre: Të jemi në vendin e parë në grup

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll përgatitet në Nikozi të Qipros, ku do të zhvillojë edhe sfidën e fundit të ciklit aktual në Ligën e Kombeve, kundër kombëtares së Armenisë. Maqedonia përballet me shumë mungesa dhe lëndime të futbollistëve, ndërsa ata futbollistët që janë ftuar, kërkojnë që të dëshmohen para trajnerit Igor Angellovski. Në mesin e tyre janë edhe Onur Totre nga Shkëndija dhe Darko Micevski nga Vardari.

“Për ne kryesore ishte të kualifikohemi në Kampionatin Europian dhe atë e arritëm. Por për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe e vlerësojmë. E njohim Armeninë, por për ne më e rëndësishme është që ti zbatojmë detyrat e stafit teknik dhe ti marrim pikat maksimale. Kryesore është që të jemi në vendin e parë në grup, e cila sjell kualifikimin në Ligën B”, deklaroi Onur Totre, futbollist i Maqedonisë.

“Ka shumë ndryshime dhe ka shumë futbollist të rinj, debutues, dhe një hedikap do të jenë futbollistët që nuk janë me ne, që kanë lëndime ose janë të pezulluar. Mirëpo unë jam i sigurtë se secili që do të ketë gjasa që të luajë për kombëtaren e Maqedonisë, do të jep 200 përqindëshi që të shfrytëzojë rastin. Mendoj se secili futbollist digjet në dëshirën që të përfaqësojë ekipin kombëtar”, tha Darko MIcevski, futbollist i Maqedonisë.

Përfaqësuesja e Maqedonisë mban pozitën e parë me 9 pikë dhe një më shumë se Armenia në vendin e dytë, andaj që të dy kombëtaret kanë mundësi e artë për tu kualifikuar në Divizionin B të Ligës së Kombeve. Sfida Armeni – Maqedoni do të zhvillohet më 18 nëntor, në stadiumin “GSP” në Nikozi, në orën 18.00.

Nga Nikozia e Qipros për TV ALSAT, Mahir THAçi

LEXO EDHE:

Back to top button