Markoviq: Humba punën sepse nuk votova për Adrijana Hoxhiqin
Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut, komunë kjo me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës, vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e një prej subjekteve politike boshnjake nga Mitrovica, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Markoviq thotë se kryetari i komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe, i kërkoi që të votonte për Hoxhiqin.
Markoviq, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur, punonte për kompaninë e sigurimit fizik “Scorpion” me seli në Ferizaj, e cila është në pronësi të një shqiptari. Vendi i punës së Markoviqit ishte në ndërtesën e komunës së Ranillugut. Komuna është 60 kilometra nga Prishtina.
“Ai më thirri mua (kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq) dhe më dha një fletëvotim. E rrumbullakoj opsionin për mua dhe numrin në të djathtë, dhe më tha: ‘Këtë kërkesë do të ma respektosh. Voto për Adrijana Hoxhiqin dhe i pres katër vota nga ti’. Pra, që unë, prindërit e mi dhe gruaja ime ta mbështesnim këtë opsion”, thotë Markoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.