Marrëveshja “SASHK-Qeveri”, partitë në garë për përvetësimin e meritave
Marrëveshja “SASHK-Qeveri”, partitë në garë për përvetësimin e meritave
Gazetar: Mefail Ismaili
Marrëveshjen mes Sindikata e Arsimit dhe Qeverisë për rritjen e pagave për 15 për qind, përfaqësuesit e pushtetit këtë e vlerësuan si arritje të madhe dhe shprehje të përkushtimit për avancimin e statusit të mësimdhënësve. Por, në ditët e para të grevës të njëjtit dolën me kritika ndaj tyre, me kërcënime e presione që u denoncuan nga vetë sindikata. Madje kishte edhe shkrime ku zyrtarët deklaronin se për të pasur paga të larta ato duhet të meritohen nga mësimdhënësit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski menjëherë pas njoftimit se ka marrëveshje shkroi në FB se:
“Marrëveshja për të punësuarit në arsim dhe rritja e pagave prej madje 15% duke filluar nga paga e shtatorit është historike… Apelojmë tek SASHK për pranim të shpejtë dhe të plotë të kushteve dhe përgjegjësive të kontraktuara”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Merita për arritjen e marrëveshjes vrapoi të marr edhe BDI-ja. Nga partia e Ali Ahmetit thonë se:
“Në kushte të krizës më të madhe ekonomiko-energjetike, BDI vazhdon me politikat e rritjes së pagave duke vlerësuar kështu mundin e punëtorëve përmes dialogut të hapur”.
Por çfarë deklaronin kryeministri Dimitar Kovaçevski, LSDM dhe BDI kur mësimdhënësit filluan grevën për shkak se Qeveria nuk respektonte marrëveshjen kolektive me mësimdhënësit dhe nuk ishte dakord për rritjen e pagave në arsim. Pas fillimit të grevës kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe partia e tij LSDM i akuzonin mësimdhënësit dhe SASHK-un se “nuk luftojnë për interesat e fëmijëve, por për interesa personale”.
“Ky thjesht nuk mund të llogaritet si qëndrim i arsyeshëm por presion i dukshëm, me çka është evidente se SASHK, interesat personal i vendos para atyre të fëmijëve”, tha asokohe Kovaçevski.
Qëndrime dhe akuza të njëjta ndaj mësimdhënësve dhe SASHK-ut edhe nga BDI.
“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se me refuzimin e ofertës së dhënë nga ana e Qeverisë, SASHK-u vendos interesat personale mbi interesat e nxënësve”, thonin nga BDI.
Ndërsa ministri i Financave Fatmir Besimi, i cili është nga radhët e BDI-së, në një kolumnë shkroi se që mësimdhënësit të marrin paga më të larta duhet të punojnë më shumë dhe të jenë më efikas.
“Në teorinë ekonomike, çdo rritje e pagave pa rritje të produktivitetit, do të shkaktojë presione që në kushte inflacioni mund të nxisin më tej inflacionin”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.
Edhe shumë eksponentë të tjerë të partive në pushtet në vazhdimësi kishin shkrime në rrjetet sociale kundër mësimdhënësve duke i akuzuar për politizim të grevës.
Mësimdhënësit dhe punonjësit e çerdheve ishin në grevë për më shumë se dy javë, duke kërkuar nga Qeveria rritje të pagave prej 18% dhe respektimin e marrëveshjes kolektive./Alsat.mk








