Masat rigoroze ndaj drejtuesve të trotinetëve elektrik/ Kuvendi hap debatin për propozim-ligjin
Gazetare: Ajnur Bafqari
Më shumë siguri, më pak kaos në rrugë. Kjo është ajo që synojnë ndryshimet ligjore në Ligjin për siguri në komunikacion e që i referohet trotinetëve elektrik. Me propozim ndryshimet do të ndalohet përdorimi i trotineteve për personat nën 18 vjeç, kufizohet shpejtësia në maksimum 20 kilometra në orë dhe ndalohet vozitja e dy personave në një trotinet. Autoritetet sqarojnë se ndryshimet parashikojnë që përskaj gjobës së shqiptuar parashihet edhe konfiskim të përkohshëm të mjetit, për ngasësit e mitur, ata që e kanë tejkaluar shpejtësinë e lejuar, rastet kur drejtuesi transporton një person tjetër, apo e drejton trotinetin nën ndikim të alkoolit.
Sipas propozimit, trotinetët doemos duhet të lëvizin në korsitë e biçikletave ndërsa kur të njëjtat nuk ekzistojnë, duhet të lëvizë në trotuar por jo më shpejtë se 6km/h, pra kjo do të thotë se duhet të shtyjë trotinetin dhe jo ta ngasë. Ngasësi duhet doemos të zbresë nga trotineti kur kalon rrugën në vizë bardha. Ndalohet ngasja pa duar dhe ngasja me një rrotë ndërsa e ndaluar është edhe ngjitja për ndonjë makinë tjetër. Gjobat për këto shkelje nga 50 rriten në 100 euro. Për ngasje nën ndikim të alkooli gjoba do të jetë 275 euro dhe konfiskim i mjetit. Për prindërit e fëmijëve nën 18 vjeç, gjoba do të jetë 225 euro ndërsa mjeti gjithashtu konfiskohet për 30 ditë.
Sipas statistikave të prezantuara në Kuvend, nga viti 2024 deri në maj të vitit 2026, në vend janë evidentuar 2.352 aksidente në trafik ku kanë marrë pjesë ngasës të mopedëve, trotinetëve elektrik dhe motoçikletave. Në këto aksidente, 46 persona kanë ndërruar jetë dhe 585 kanë përfunduar me lëndime të rënda trupore. Më shumë se 70 për qind e aksidentuarve kanë qenë fëmijë të mitur. Sot propozim ligji u shqyrtua në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri, por deputetët vendosën ta ndërpresin seancën për konsultime shtesë.
“Për shkak të konsultimeve shtesë, me ministrinë përgjegjëse kompetente për zbatimin e këtij ligji, ministrinë e punëve të brendshme dhe konsultime shtesë me përcaktimet që vlejnë në Bashkimin Evropian, do ta ndërpresim seancën e komisionit…. “, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Pave Arsovski
Pas alarmit se trotinetët elektrik po paraqesin cenim të komunikacionit dhe këmbësorëve, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski pati deklaruar se po shqyrtohet mundësia për ta rregulluar këtë fenomen, por nuk kishte përjashtuar as mundësinë për ta ndaluar me ligj përdorimin e tyre./Alsat.mk.








