Matka, në krye të listës së turistëve

Matka, në krye të listës së turistëve

Gazetare: Evi Shkopi

Vetëm 30 minuta udhëtim me veturë nga ndotja akustike e kryeqytetit  ndodhet një nga perlat e natyrës tonë, Kanioni i Matkës. Në krye të listës së turistëve që eksplorojnë  Maqedoninë e Veriut qëndron pikërisht ky lokacion.

Kanioni i Matkës është një nga atraksionet më të mëdha për turistët që vizitojnë qytetin e Shkupit apo Maqedoninë. Një nga shërbimet më tërheqëse që ofrojnë këtu në Kanionin e Matkës  për turistët është edhe shëtitja me varkat.

Bajram Sulejmani me kapelën e tij prej kapiteni, tashmë 15 vite u ofron turistëve lundrim me varkën e tij 4 km në brendësi të kanionit. Për 30 minuta vendasit, por edhe ata nga shtete të tjera, kanë mundësinë që të shijojnë natyrën e paprekur nga njeriu dhe të zgjerojnë diapazonin e tyre më informacionet si: thellësinë e ujit, temperaturën, apo llojet e peshqve. Ai thotë se më e ngarkuar është fundjava.

“Mahniten, mbeten pa fjalë. Shumica nuk presin të shohin këtë lloj bukurie. Thellësia më e madhe në kanion është në fillim diku 25 metra. Siç udhëton andej zvogëlohet 15, 10 metra. Ka disa lloj peshqish. Ka disa lloje troftash. Është i pasuruar me shumë lloj peshqish. 10 deri në 12 grad është vazhdimisht”, tha Bajram Sulejmani-Varkëtar

Megjithatë ai thotë se turistët përpos bukurisë së natyrës, vërejnë edhe neglizhencën e institucioneve apo pakujdesinë e disa qytetarëve.

“Rruga është katastrofë. Pastaj, mungojnë informacionet apo sinjalistika që t’i orientojë se ku gjendet. Nëse vini nga Shkupi shumë rrallë shihni shenja për të ardhur tek ky vend, apo nga ana tjetër ose nëse vini nga Tetova nëse vini është shumë vështirë ta gjeni. Pastaj, pastërtia. Shihet që gjithandej hedhin mbeturina. S’mund të ia hedhim të gjithë fajin shtetit, sepse ka edhe njerëz që duke ecur hedhin mbeturinat gjithandej. Janë vendosur disa herë disa tavolina, mirëpo nga disa njerëz ato janë thyer dhe shpesh janë hedhur në ujë”, shtoi Bajram Sulejmani-Varkëtar

Ai thotë se një tjetër mangësi është që në atë zonë nuk ka të caktuar nga shteti persona të cilët duhet të monitorojnë turistët në rast se ndodh që ndonjëri prej tyre të bjerë të ujë apo të lëndohet. Ai shton se ka pasur raste kur ata vetë kanë notuar në thellësi të kanionit për të shpëtuar të moshuar që kanë rënë në ujë./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button