Matoshi dhe Iseni me mesazh të prerë: Politika shqiptare të bëhet bashkë

Gazetar: Suad Bajrami

Veterani i UÇK-së, Ruzhdi Matoshi në emisionin “N’Dritë” në Alsat theksoi se vendimi i Hagës për ish krerët e UÇK-së synon t’i relativizojë krimet serbe në Ballkan. Sipas kësaj logjike, Matoshi shprehet që nesër do të duhet të dënohet edhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski, i cili udhëheqë luftë përballë agresionit rus.

“Nuk mund t’i japim asnjë lloj arsyeshmërie apo dimensioni real kësaj ndodhie. Këta se si e kanë atribuuar dhe e kanë realizuar këtë dënim vërehet se këtu është një qëllim i madh politik dhe ndoshta ditët e ardhshme do ta tregojnë se pse është ky qëllim dhe pse ka rezultuar Serbinë apo të na relativizojnë ne me Serbinë në atë përmasa të cilat Serbia ka qenë siç dimë në tre shtete të Ballkanit, ka bërë masakra, ka bërë shkatërrim të atyre vendeve, ka bërë krim gjenocidial ndaj një popullate të tërë siç ishte Bosnja Kroacia dhe të na relativizojë me ta është vështirë ta pranojmë. Këta si kanë filluar nesër edhe Zelenski që lufton për vendin e vet, ai edhe nesër sigurisht edhe ai duhet të përgjigjet se pse ka luftuar për vendin e vet”. – Ruzhdi Matoshi, Veteran i UÇK-së.

Profesori Fati Iseni u shpreh se ky vendim, simbolikisht mund të shihet si vrasje e dytë ndaj të gjitha përpjekjeve historike të shqiptarëve që nga vitit 1912 e deri te komandanti legjentar Adem Jashari.

“Vlerësoj se kjo ishte një vrasje e dytë e të gjithë atyre që u përpoqën për lirinë e vendit. Ishte një goditje për të gjithë lëvizjen kombëtare çlirimtare të viteve 13, 20-24, të viteve 41-45 të Ballit Kombëtar, të NDSH-së, ishte një goditje për lëvizjet e para të periudhës së parë të Adem Demaçit, pastaj goditjes së një strukture të fuqishme të viteve 70 dhe 80 të Jusuf Gërvallës, të Nuhi Berishës, të Malës e kështu me radhë, deri te një vrasje e dytë e Adem Jasharit”. – Fati Iseni, Profesor.

Veterani Matoshi duke folur për masakrat çnjerëzore të strukturave ushtarake serbe ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë, theksoi që nuk mund të pritet normalitet në situata të tilla, ndërsa zinxhiri komandues ka pasur raste që nuk ka funksionuar fare për shkak të dinamikës së ngjarjeve.

“Është dashtë me e marrë gjykatësit që e dha dënimin dhe me e mbajnë një muaj ditë në këto kostelacione dhe ta shihte se si ne e kemi fituar lirinë dhe si na kemi punuar gjatë asaj kohe me një forcë çnjerëzore e cila nuk ka njohur rregulla lufte”. – Ruzhdi Matoshi, Veteran i UÇK-së.

Sipas Isenit, pas kësaj situate Kosova duhet të angazhojë juristët më të mirë për shkallën e dytë në Apel, ndërsa politika duhet të bëhet unifikohet”.

“Megjithatë tani duhet një fokus shumë i fuqishëm, një punë jashtëzakonisht e mirë. Të ftohen ekspertët më të mirë në fushën juridike, t’i ndihmojnë mbrojtjes së katërshes në gjykatë, për shkak se mbrojtja megjithëse janë ekspertë ndërkombëtarë, por ka lëshime që janë bërë gjatë evidentimit të fakteve dhe më shumë se kurrë duhet një bashkim në ekstrem i të gjitha strukturave politike të paktën për një kohë të caktuar”. – Fati Iseni, Profesor.

LEXO EDHE:

Back to top button