Maturantët vazhdojnë bojkotin, deri në plotësimin e kërkesë së tyre

Maturantët vazhdojnë bojkotin e mësimit. Thonë se pavarësisht presioneve të shumta, bojkoti nuk do të ndërpritet. Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme thanë se mësimin e kanë bojkotuar mbi 75 % e maturantëve. Alsat ka kontaktuar disa nga drejtorët e shkollave të mesme për të kuptuar saktë numrin e maturantëve që bojkotojnë. Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, në mësim kanë qenë vetëm 40 nxënës nga gjithsej 380 maturantë. Ndërsa, në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë mësimin e kanë ndjekur vetëm 15 nxënës nga 206 maturantë. Nga Unioni mbeten në qëndrimin për shkurtimin e materialit dhe zvogëlimin e lëndëve për maturën shtetërore.

Maturantët janë në ditën e tretë të bojkotit. Përkundër presioneve nga drejtorët e shkollave, maturantët vazhdojnë të bojkotojnë. Nga informatat e UNSHM-së, 75% e maturantëve kanë bojkotuar. Ne planifikojmë hapat e ardhshëm si nënshkrimin e peticionit nga maturantët me kërkesat e UNSHM-së si dhe kërkesë deri tek deputetët në Kuvend që të hapin debat mbi maturën shtetërore – tha Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Edhe ministrja e Arsimit, Milla Carovska nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për maturën shtetërore. Pas takimit që realizoi me drejtorët e shkollave të mesme apeloi maturantët të kthehen në mësim. Sipas Carovskës, bojkoti është i pajustifikuar dhe çdo orë e humbur sipas Ligjit duhet të kompensohet.

Arsimi i mesëm është i detyrueshëm në vend dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të respektohet e drejta e nxënësve që duan të marrin provimin e maturës. Këtë mëngjes pata një takim me të gjithë drejtorët e shkollave të mesme, nuk ka bojkot prej70 për qind, por vetëm një pjesë e nxënësve. Detyrimi ynë si Ministri e Arsimit dhe Shkencës dhe komunave është t’u sigurojmë të drejtën nxënësve që duan të marrin provimin e maturës – deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Kjo deklaratë e Carovskës u dha gjatë vizitës në shkollën fillore “Hasan Prishtina” të komunës së Çairit, ku kjo e fundit vendosi paravanë mbrojtës nga Covid 19 për nxënësit që ndjekin mësimin me prezencë fizike.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button