Mbetje të rënda në çdo cep të Ohrit. Banorët kërkojnë marrjen e masave dhe sanksionimin e personave të papërgjegjshëm

Mbetje të rënda në çdo cep të Ohrit. Banorët kërkojnë marrjen e masave dhe sanksionimin e personave të papërgjegjshëm

Gazetar: Miki Trajkovski

Krevate, tavolina, karrige, lavatriçe, dyshekë, mbetje ndërtimore dhe lloje të tjera të mbetjeve, çdo ditë mund të vërehen në lokacione të ndryshme në Ohër. Banorët thonë se vetëm gjobat janë zgjidhje për problemin, për t’i detyruar qytetarët e pandërgjegjshëm që mbeturinat t’i hedhin në vende të destinuara për këtë.

“Duhet të ndëshkohen edhe atë urgjentisht. Hedhin mbeturina kudo, ku t’u vijë mbarë, shumë shpesh edhe jashtë qytetit, përgjatë rrugëve. Ka mjaft qytetarë të kulturuar, por ka edhe shumë të tjerë që nuk u përmbahen rregullave”, tha një qytetar.

“Vetëm ndëshkim për të gjitha këto gjëra. Hidhen mbeturina gjithandej e kudo, aty ku nuk u takon, nuk tregohet kujdes për mjedisin. Kjo është turp për qytetin. Kapje në flagrancë dhe ndëshkim, pa asnjë lloj tolerimi për askënd”, tha qytetari.

Disa mendojnë se është i nevojshëm edukim më i madh i qytetarëve.

“T’i prezantohet pak më shumë popullit se si zgjidhet kjo çështje në botë, që të edukohet sadopak. Nëse nuk i hedhim ne apo unë, kush do t’i krijojë këto mbeturina? Duhet edukim”, u shpreh qytetari.

“Ku t’i vijë përpara në rrugë, aty hedhin, gjithandej, kudo që kalon nëpër rrugë, hedhin mbeturina. Duhet të vendosen kamera që t’i kapin njerëzit që hedhin, por edhe t’i gjobisin. Le të shohin se si është në botë. Një kohë, ligjin që e solli Gruevski, nëse pështyn, paguan gjobë, e jo më të hedhësh një cigare”, tha qytetari.
Për shkak të kësaj situate, që nga fillimi i muajit mars, Ndërmarrja Publike e mbeturinave do të fillojë me vendosjen e kamerave në rreth dhjetë lokacione.
“Planifikojmë dhe janë identifikuar rreth 30 lokacione ku do të vendoset video-mbikëqyrje, në mënyrë që më lehtë t’i identifikojmë shkelësit. Gjatë vitit të kaluar kemi grumbulluar 1200 m³ mbetje të vëllimshme, pak më shumë mbetje ndërtimore dhe rreth 800 m³ mbetje të gjelbra”, u shpreh Stefço Masllov – NP “Ohridski Komunalec”.

Zbatimi i ligjit për pastërtinë publike është në kompetencë të inspektorëve komunalë ose rendmbajtësit komunal dhe MPB-së.

LEXO EDHE:

Back to top button