Mbeturinat po pushtojnë Strugën – ekspertët kërkojnë masa urgjente

Gazetar: Miki Trajkovski

„Kur e dorëzuam padinë, kryem matje në deponi dhe konstatuam se në vitin 2021 deponia kishte lartësi prej 22 metrave ndërsa tani me keqardhje mund të konstatojmë se ajo ka arritur lartësinë prej 30 metra mbi nivelin e tokës. Hapat janë të qartë, nevojitet përgjegjësi, ndërsa përgjegjësia ka emër. Ligji i përcakton Ministrinë e Mjedisit Jetësor, komunën e Strugës dhe Ndërmarrjen publike komunale në Strugë,“ tha Grigorie Qatoski, aktivist qytetar.

Struganët nuk besojnë se komuna ka kapacitet ta zgjidhë e vetme problemin dhe ta dislokojë deponinë.

„Nuk besoj se kjo do të bëhet së shpejti. A është çështje e gjendjes financiare apo diçka tjetër, nuk e di. Çfarë do t’i porositnit Qyrës? Sa më shpejt të angazhohet për dislokimin e deponisë.“ – qytetar.

„Do të mbetet përgjithmonë këtu, nuk ka ku të shkojë. Gjithçka hidhet atje, gjithçka është e përzier. Përziej sodë bikarbone me limon dhe krijohet shkumë që shpërthen. Edhe këto kimikate të përziera bëhen ose ilaç ose helm. A ka pushteti i ri lokal kapacitet ta zgjidhë vetë këtë problem? Vetëm me ndihmën e pushtetit qendror, përndryshe jo.“ – tha një qytetar tjetër.

„Po helmohemi çdo ditë dhe të gjithë e dimë se kjo paraqet problem për të gjithë ne. Duhet të jemi më të zëshëm dhe, nëse jemi më të zëshëm, sigurisht që do ta zgjidhim këtë problem së bashku. Edhe pse dikur ishim qytet me ajrin më të pastër, tani jemi bërë qyteti me numrin më të madh të sëmundjeve malinje.“ – qytetare.

Ndërkaq në vend të dislokimit, komuna vetëm do të vazhdojë ta mirëmbajë deponinë, duke pritur ndërtimin e deponisë rajonale në Novac.

„Kemi organizuar mirëmbajtjen e deponisë përmes një kompanie që ka kushtet e nevojshme për ta mirëmbajtur në mënyrë adekuate hapësirën dhe njëkohësisht për të siguruar që gjatë verës të mos ketë djegie të mbeturinave atje, sepse kjo është e dëmshme.“ – Mendi Qyra, kryetar i komunës së Strugës.

Ambasadori i BE-së Rokas, i cili vizitoi deponinë pak ditë më parë, thotë se është i tronditur nga ajo që ka parë, por se deponia rajonale nuk mund ta zgjidhë menjëherë problemin, pasi ndërtimi i saj po vonohet.

“E dija që deponia nuk i përmbush standardet e nevojshme, por fakti që ndodhet kaq afër qytetit, vetëm 200 metra larg shtëpive, në afërsi të menjëhershme të lumit, sistemit të furnizimit me ujë dhe liqenit, është vërtet zhgënjyes. Ajo që do të bëj është të bisedoj me institucionet përkatëse dhe me kryetarin e komunës për të parë se çfarë mund të ndërmerret, sepse përmasat e problemit kërkojnë zgjidhje urgjente.“ – Mihail Rokas, ambasador i BE-së.

Zgjidhjen aktivistët e shohin në dislokimin e plotë të deponisë, revitalizimin e tokës dhe pyllëzimin e kësaj hapësire. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button