Mbi 1 mijë persona të prekur në Gostivar, rezultatet e analizave dalin nesër

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Rezultatet nga analizat mikrobiologjike të ujit në Gostivar do të dalin nesër. Deri atëherë qytetarëve u kërkohet që mos ta përdorin ujin për pije. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski i cili vizitoi pacientët e shtrirë në spital nga helmimi tha se simptomat tregojnë qartë se bëhet fjalë për ndonjë virozë zorrësh.

“Po merren mostra të ujit që e bën Qendra e Shëndetit Publik dhe Instituti për Shëndet Publik që po e bën me urdhër të prokurorit publik, po hulumtohen edhe opsione të tjera, nga mbrëmë merren kultura tjera për analizë të kësaj pjese dhe po bëhen analiza të shumta si dhe po bëhen gjitha analizat laboratorike dhe kërkohen gjurmë të ADN dhe OT viruseve. Pra kemi të kyçura më shumë institucione në aspektin epidemiologjik dhe më shumë institucione të kyçura që të shihen gjitha opsionet, nga metalet e rënda parazitët viruset bakteret e tjera” – Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Drejtori i Spitalit të Gostivarit Emri Bajrami tha se nga mostrat e gjakut, nuk tregon që ka bakter në gjak por infeksion akut shkaku i të cilit, tek pacientët tregohet rritje e leukociteve.

“Jo jo nuk ka bakterie por tregon që ka infeksion akut, sepse janë të rritura leukocitet edhe atë deri në 10.000,  apo 12.000 por nuk ka parametra të tjerë të rritur. Kjo tregon që ka infeksion akut , por ende nuk e dimë askush se për çfarë  infeksioni bëhet fjalë” – Emri Bajrami. Drejtor i Spitalit të Gostivarit.

Mbi 1 mijë persona nga Gostivari me rrethinë kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit. Edhe gjatë ditës së djeshme në repartin Infektiv janë paraqitur rreth 150 pacientë me simptoma të njëjtë. Ushqimi, është hequr nga lista si shkaktar i mundshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button