Mbikalimi në Bit Pazar mbetet pa zgjidhje

Pasi vitin e kaluar këtu në bulevardin ‘Hristijan Todorovski Karposh’, u shkelën dy vajza të cilat ishin në rrezik për jetën, me kërkesë dhe insistim të qytetarëve u vendosën edhe semaforë për siguri më të lartë.  // Por vetëm dy kilometra më poshtë, akoma më i madh është rreziku për këmbësorët kjo për faktin që vendkalimi në Bitpazar për vite me radhë nuk mund të mbyllet për shkak të mosmarrëveshjeve të cilat i ka Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit. Kjo për faktin se nuk e dinë kush duhet të vizatojë viza të bardha ose kush duhet të rregullojë urën që të jetë funksionale për këmbësorët.

Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit vazhdojnë të luajnë ‘ping pong’ për kompetencat për zgjidhjen e problemit. Me shkrim, nga Qyteti i Shkupit thonë se problemi qëndron tek ura e ndërtuar e cila është projekt i Komunës së Çairit dhe e ndërtuar me partneritet privato-publik, e qyteti nuk mund të investojë aty.

Qyteti i Shkupit

Kërkuam që Urës t’i rregullohet instalimi që të munden qytetarët ta përdorin, ose Komuna e Çairit të na japë pajtueshmëri që e mbyll, që ne të mundemi të vizatojmë atje vendkalim. Shpresojmë që së shpejti do të marrim përgjigje nga Komuna e Çairit. Ura për kalimtarë tek Bitpazari është projekt i Komunës së Çairit dhe është ndërtuar me partneritet privato-publik. Koncesioni i urës zgjat 15 vite dhe është i lidhur me bilbordet reklamuese të cilat janë pjesë e objektit. Vendkalimi është ilegal dhe të gjithë që kalojnë aty bëjnë shkelje në komunikacion.

Nga Komuna e Çairit i referohen ligjit për Qytetin e Shkupit

Komuna e Çairit

Nuk mban arsyetimi i ekzistencës së urës në të njëjtën kohë aty, pasi që një paralelizëm mund të bëjmë edhe me urën që ndodhet në lagjen Vllae, ku edhe pse ekziston një urë, një mbikalim, aty përsëri kemi të vendosura vizëbardha poshtë dhe semafor. Për atë arsye theksoj se të gjitha kompetencat ligjore në këtë rast i ka në dispozicion Qyteti i Shkupit, në bazë të ligjit për Qytetin e Shkupit.

Për zgjidhjen e problemit tek vendkalimi ilegal në Bitpazar, gjatë vitit të kaluar, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, vazhdimisht kanë këmbyer akuza rreth përgjegjësive për të mbyllur ose legalizuar vendkalimin. Por derisa të dy institucionet të gjejnë zgjidhje, në këtë pjesë të qytetit vazhdon të kufizohet lëvizja e lirë e automjeteve, ndërsa nga ky vendkalim vazhdojnë të pësojnë vetëm qytetarët, të cilët për çdo ditë rrezikojnë jetën e tyre.

Mefail ISmaili

LEXO EDHE:

Back to top button