Mbledhja Kosovë-Maqedoni e Veriut, ish-ministri i Jashtëm me kërkesa për qeverinë
Mbledhja Kosovë-Maqedoni e Veriut, ish-ministri i Jashtëm me kërkesa për qeverinë
Derisa në Prishtinë po zhvillohet mbledhja ndërqeveritare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj ka ngritur shqetësime për qasjen e ekzekutivit maqedonas ndaj “Marrëveshjes së Ohrit dhe cenimit të gjuhës shqipe”.
Ai, gjithashtu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reagojë për arrestimet e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoxhaj ka ngritur shqetësime për “cenimin e gjuhës shqipe” në MV.
“Gjuha shqipe është e gjithë shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai kritikoi gjithashtu edhe Qeverinë e Kosovës, duke e akuzuar për “përpjekje për ta rikonfiguruar Planin e Ahtisarit”, që, siç a shkruar ai, është konsideruar si themeli i pavarësisë së Kosovës.
Hoxhaj e ka vlerësuar këtë qasje si të dëmshme për interesat kombëtare dhe partneritetin perëndimor në rajon.
Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt:
Sot në Prishtinë takohen dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut dhe gjithmonë kam qenë në mbështetje të mbledhjeve të përbashkëta! Personalisht, e kam hedhur idenë në Qeverinë e Kosovës dhe kemi miratuar konceptin e mbledhjes së përbashkët të qeverive para 10 vitesh. Është mirë që deri më tani ka pasur mbledhje të përbashkëta, por e veçanta e kësaj mbledhjeje është kjo:
Sot vjen në Kosovë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila është e përkushtuar që ta përmbysë dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritja më e madhe e vetë shqiptarëve në Maqedoni. Sot pres që Qeveria e Kosovës ta ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është e shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan. Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë sot zërin edhe për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut!
Mjerisht, kemi një Qeveri të Kosovës, e cila ka bërë çdo gjë që ta rikonfigurojë Planin e Ahtisaarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse tentativat për ta zhbërë Marrëveshjen e Ohrit, që është arritja më e madhe politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!
Çfarë më shqetëson mua është se çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit, dhe për të rikonfiguruar realitetin politik të krijuar nga ato, është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan.