Mbretëria e Bashkuar: Kosova e Serbia të angazhohen në dialog

Mbretëria e Bashkuar: Kosova e Serbia të angazhohen në dialog

Mbretëria e Bashkuar tha se mirëpret progresin e vazhdueshëm të bërë nga Qeveria e Kosovës në një numër çështjesh të rëndësishme si puna për sundimin e ligjit dhe trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Koordinatori Politik i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Fergus Eckersley, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet jetik. Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Tani është momenti që të dyja palët të angazhohen në dialog me mirëbesim, të respektojnë angazhimet e tyre të dialogut dhe të shmangin veprimet apo retorikën që mund të zvogëlojë perspektivat për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në dobi të njerëzve të të dy vendeve”, tha Eckersley.

Eckersley deklaroi se është inkurajuese të shihen marrëveshjet për udhërrëfyesin për energjinë, mirëpo u shpreh se vendimet për reciprocitet nuk duhet të përdoren si justifikime për dhunë e bllokada siç ka ndodhur më 31 korrik në veri të Kosovës.

“Progresi i përmendur në raportin e sekretarit të përgjithshëm, për shembull, miratimi i një udhërrëfyesi për marrëveshje energjetike është inkurajues, por ne ishim të shqetësuar për të parë tensionet në rritje më 31 korrik mbi zbatimin e vendimeve të qeverisë për targat e makinave dhe letërnjoftimet. Vendime të tilla nuk duhet të përdoren si justifikim për bllokada apo dhunë. Prandaj, mirëpresim zgjidhjen e mosmarrëveshjes për letërnjoftimet të lehtësuar përmes përpjekjeve të vendosura të përfaqësuesit special të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ky është një shembull i qartë se çfarë mund të arrihet kur të dyja palët i qasen procesit me pragmatizëm”, vijoi Eckersley.

Në fund, zyrtari i Mbretërisë së Bashkuar kërkoi që të rishikohet misioni i UNMIK-ut në Kosovë pas ndryshimit të situatës në Kosovë që nga përfundimi i luftës.

LEXO EDHE:

Back to top button