Mbyllen lokalet në Kosovë, kufizohet qarkullimi i qytetarëve

Qeveria e Kosovës miratoi të hënën masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Arsyetimi i Qeverisë për masat

Në arsyetimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reja thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka testuar me 147 mostra pozitive me koronavirus, për detektimin të variantit britanik të koronavirusit dhe atij të Afrikës Jugore.

Këto mostra, thuhet se ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit.

Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27 për qind e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut.

Prandaj kjo situatë, ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, sipas Qeverisë kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.

Mësimi online

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Ndërkaq, institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Konviktet dhe mensat, me masat e reja, pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill 2021.

Ndalohet grumbullimi i njerëzve mbi 10 persona

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).

Për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës zyrtare të Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Përpjekje të mëdha për sigurim të vaksinave

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur në një konferencë për media se janë duke negociuar me kompanitë prodhuese për blerjen e vaksinave, por për shkak të konfidencialitetit, derisa të nënshkruhet kontrata nuk do t’i bëjnë publike detajet tjera.

“Natyrisht që nuk presim vetëm nga donacionet. Janë diku rreth 50 milionë euro të siguruara nga Qeveria e Kosovës për blerjen e këtyre vaksinave. Është një proces i negocimit shumë serioz për sigurimin e këtyre vaksinave me kompanitë prodhuese”, tha Vitia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkaq ka theksuar se Kosova po përballet me një situatë të rënduar me COVID-19, dhe masat e reja janë të domosdoshme.

“Trendi është shumë i keq, 16.7 për qind. Të keni parasysh që prej afër gjysmë milioni testeve që janë bërë ka dalë më shumë se çdo i pesti është pozitiv kur është testuar. Në njërën anë po përpiqemi për vaksina sa më shumë, dhe në anën tjetër maska, higjiena, distanca ajrosja”, tha Kurti.

Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit më 29 mars.

Ku po përhapet COVID-19 në Kosovë?

Në bazë të hulumtimit epidemiologjik të rasteve me COVID-19 dhe gjurmimit të kontakteve, nga IKSHPK, si ngjarje potencialisht super-shpërndarëse të infeksionit janë identifikuar: gastronomia, institucionet publike, puna në zyre/vende të përbashkëta, qendrat tregtare, shkollat, grumbullimet e personave, me theks të veçantë rastet e vdekjes dhe ahengjet e ndryshme.

Kundërshtohet mbyllja

Asociacioni i Komunave të Kosovës një ditë më parë është deklaruar kundër mbylljes dyjavore.

Drejtori ekzekutiv i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se nuk kanë qenë të ftuar në takimin mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave ku është diskutuar për masat e reja kundër COVID-19.

Kryetarët e komunave kanë vlerësuar se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet numri i aktiviteteve inspektuese, të rritet angazhimi dhe përkushtimi i policisë.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se çdo vendim që nuk konsultohet me komunat, me odat ekonomike dhe akterët tjerë, e kthen Kosovën prapa.

“Shëndeti i qytetarëve ruhet duke respektuar masat me përpikëri të IKSHPK-së dhe me inspektim rigoroz. Mos e bankrotoni shtetin”, ka shkruar Tahiri.

Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se vendimmarrja për izolim, qoftë edhe të pjesshëm, pa strategji të vlerësimit dhe harmonizimit të gjithmbarshëm, do ta thellojë përkeqësimin e gjendjes.

“Mbikëqyrja rigoroze e masave është mundësi pozitive për uljen e numrit të infeksionit si dhe rasteve spitalore, por kjo nuk bëhet nga kolltuku e as nga takimet virtuale, por me përfshirje energjike të të gjitha kapaciteteve nacionale, ekspertët, grupet e interesit, donatorët, qytetarët dhe përkrahjen e parezervë të Qeverisë”, ka shkruar Zemaj.

 

LEXO EDHE:

Back to top button