Antibiotikët janë mbledhur atom pas atomi dhe kanë vrarë superbaktere në testet laboratorike dhe në minj. Megjithatë, ato ende duhet të përpunohen dhe të testohen klinikisht përpara se të miratohen për përdorim te njerëzit.
Ekipi nga Instituti prestigjioz i Teknologjisë në Masaçusets (MIT), i cili është përgjegjës për këtë sukses, beson se inteligjenca artificiale mund të paralajmërojë një epokë të dytë të artë në zbulimin e antibiotikëve. Infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve aktualisht shkaktojnë më shumë se një milion vdekje në vit.
Përdorimi i tepërt i antibiotikëve ka çuar në evolucionin e baktereve, duke i bërë ato rezistente ndaj antibiotikëve. Nuk janë zhvilluar antibiotikë të rinj për dekada të tëra. Shkencëtarët po shqyrtojnë mijëra kimikate të njohura për të përcaktuar se cilat kanë potencialin të jenë antibiotikë të rinj.
Në MIT, ata e çuan këtë një hap më tej duke përdorur inteligjencën artificiale, kryesisht në një përpjekje për të krijuar antibiotikë kundër gonorresë dhe MRSA-së potencialisht vdekjeprurëse. Rezultatet e hulumtimit të tyre janë botuar në revistën shkencore Cell. Ata testuan 36 milionë komponime, duke përfshirë disa që nuk ekzistojnë ose nuk janë zbuluar ende.
Shkencëtarët e trajnuan inteligjencën artificiale duke i dhënë asaj strukturat kimike të përbërjeve të njohura, së bashku me informacion nëse këto përbërje ngadalësonin rritjen e baktereve të ndryshme. Më pas, inteligjenca artificiale mësoi se si bakteret ndërvepronin me struktura të ndryshme molekulare, të përbëra nga atome të tilla si karboni, oksigjeni, hidrogjeni dhe azoti.
Pastaj ata provuan dy qasje për të zhvilluar antibiotikë të rinj duke përdorur inteligjencën artificiale. Qasja e parë identifikoi një pikënisje premtuese për kërkimin e miliona fragmenteve kimike, që variojnë në madhësi nga 8 deri në 19 atome. Qasja e dytë i dha inteligjencës artificiale një dorë të lirë që nga fillimi.
Inteligjenca artificiale eliminoi çdo gjë që dukej shumë e ngjashme me antibiotikët ekzistues dhe filtroi çdo gjë që (nuk ishte) toksike për njerëzit. Shkencëtarët thonë se vazhdimi i zhvillimit të këtyre antibiotikëve mund të jetë kohë-kërkues dhe i kushtueshëm, dhe nuk ka asnjë garanci se ato në fund të fundit do të jenë të përshtatshme për përdorim tek njerëzit, shkruan BBC.








