“Më pyeti a do të shërohem shpejt se do të shkoj në Gjermani” , mjeku tregon për pacientin nga tragjedia në Koçan
“Më pyeti a do të shërohem shpejt se do të shkoj në Gjermani” , mjeku tregon për pacientin nga tragjedia në Koçan

Mjeku Xhunejd Ademi ishte I ftuar në emisionin Ftesë në Studio, ku foli për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen mjekët në situata tragjike. Ai ndau detaje tronditëse nga tragjedia në Koçan, ku humbën jetën dhjetëra të rinj dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë.
“Skenat ishin shumë të rënda për ne. Një tragjedi e tillë, me një numër kaq të madh viktimash të rinj, e vështirësonte edhe më shumë punën tonë. Teksa shkonim në spitalin e Shtipit, pamë njerëz që po dërgonin të afërmit e tyre me vetura private drejt Shkupit. Autoambulancat ishin gjatë gjithë kohës nëpër rrugë. Duhej të vepronim me shpejtësi të madhe për të transportuar çdo pacient në spitalin përkatës.”
Ai shpjegoi se spitalet kanë kapacitete për të përballuar fluksin e pacientëve në raste emergjente, por për trajtimin e djegieve të rënda mungojnë repartet dhe mjekët e specializuar, çka e bëri të domosdoshëm dërgimin e pacientëve jashtë vendit. Një nga momentet më prekëse për të ishte kur ne spital pa një 20-vjeçar, I cili ndodhej në repartin intensiv me djegie të rënda.
“Më pyeti a do të shërohem deri të shtunën? Duhet të shkoj në Gjermani për të punuar. Ky ka qenë një moment që më preku shumë,” – rrëfeu Ademi.
Në ndihmën e shpejtë ishin mobilizuar pesë grupe mjekësore, ndërsa më vonë u thirrën edhe katër ekipe të tjera shtesë. Ademi theksoi nevojën për përgatitje më të madhe për raste të tilla emergjente në të ardhmen.
“Në Shkup duhet të ketë të paktën 30 ekipe shtesë për tragjedi të tilla. Këto duhet të trajnohen në mënyrë të veçantë, sepse nuk I dihet asnjëherë se kur mund të përballemi me fatkeqësi të kësaj natyre. Urojmë të mos kemi më tragjedi, por duhet të jemi të përgatitur”, shtoi Ademi.
Mjeku Xhunejd Ademi theksoi se tragjedia në Koçan tregoi nevojën për përgatitje më të madhe në sistemin shëndetësor, veçanërisht për raste me djegie të rënda.